Telegrafi

Polici amerikan dëmshpërblehet me 19 milionë dollarë për shkak të diskriminimit, i thanë se po të ishte “më pak gay” do të gradohej

Gjykata e Missourit në SHBA, ka urdhëruar që një polic të dëmshpërblehet me 19 milionë dollarë, pasi kolegët në punë e kishin diskriminuar për shkak të orientimit të tij seksual duke i thënë haptas se duhet të jetë “më pak gay”.

Keith Wildhaber zyrtar policor në St Louis një vit më parë kishte bërë kërkesë që të gradohet në rreshter, gjë që kishte reaguar ashpër John Saracino i cili asokohe ishte anëtar i bordit të vlerësimit të zyrtarëve policor në St Louis, transmeton Telegrafi.

“Komanda ka probleme me orientimin tënd seksual”, i kishte thënë Saracino bazuar në dokumentet e prezantuara gjatë seancës dëgjimore.

“Nëse vërtetë dëshironi të gradoheni, duhet të jeni më pak gay”, kishte shtuar anëtari i bordit, fjalë këto që e kishin fyer shumë Wildhaber.

Megjithatë Saracino ka mohuar këto pretendime gjatë gjykimit, duket thënë se nuk ka thënë diçka të tillë. Wildhaber asokohe nuk ishte graduar dhe ishte ankuar në Komisionin për barazi dhe të drejtat e njeriut.

Megjithatë disa muaj pasi kishte ndërmarrë një veprim të tillë – do të thotë për diskriminim, atë e kishin detyruar të punojë në ndërrimin e natës dhe atë në një rajon që ishte 43 kilometra larg vendit ku ai jeton.

Pasi ishte transferuar në tjetër vend, ai kishte bërë një ankesë tjetër. E gjatë javës së kaluar gjykata vendosi që pretendimet e tij kishin bazë, ku zyrtarët komunalë kanë ftuar në takim zyrtarët e lartë policor, duke kërkuar nga ata të japin dorëheqje.

Zyrtar i lartë komunal në St Louis, Sam Page, ka deklaruar se Komuna së shpejti do të emëroj anëtarët e rinj të bordit për vlerësim në polici.

“Bordi aktual dhe shefi i policisë me nder kanë shërbyer, por ka ardhur koha për ndërrime dhe menaxhment të ri”, ka shtuar Page. /Telegrafi/