Një polic i qytezës Vorhes në New Jersey i ka lënë kamerieres Courtney Cadigan, 23-vjeçe, që është në muajin e shtatë të shtatzënisë, një bakshish të majmë dhe i ka uruar fat me fëmijën e parë.
Cadigan e cila pritet të sjellë në jetë foshnjën e parë më 1 prill, kishte shërbyer një polic gjatë të premtes që kishte shkuar në restorantin Lamp Post Dinner ku ajo punon, transmeton Telegrafi.
Fatura e ushqimit që e kishte ngrënë polici tregon qartë se bëhet fjalë për 8 dollarë e 75 cent, kurse kamerieres i kishte lënë bakshish prej 100 dollarë dhe një letër në të cilën i kishte shkruar: “Kënaquni në shtatzëninë e parë, kurrë nuk do ta harroni”.
Polici e kishte dorëzuar faturën, bakshishin dhe letrën tek arka dhe ishte larguar nga restoranti pa e thënë as edhe një fjalë.
“Falënderoj policin për mirësjelljen. Urimi është i veçantë dhe përgjithmonë do t’i jem falënderuese”, ka deklaruar kamerierja.
Babai i saj Bryan Cadigan e ka postuar fotografinë e faturës dhe letrën në profilin e tij në Facebook, ku ka falënderuar policin që ka dashur të mbetet anonim.
https://www.youtube.com/watch?v=_1CObVnL6EM
“Jeni mësuar të dëgjoni se si policët nuk janë të mirë, se si nuk sillen mirë me ju dhe keqpërdorin detyrën zyrtare. E di se në çdo vend ka njerëz të këqij, megjithatë shumica prej tyre e kryejnë punën e tyre për mrekulli. Ata ballafaqohen me pjesën më të rrezikshme të shoqërisë tonë dhe atë e bëjnë çdo ditë. E rrezikojnë jetën për ta zbatuar ligjin”, ka shkruar ndër tjera në Facebook, babai i kamerieres.
Ajo ka pranuar se nuk kishte folur shumë me policin dhe se ai mund ta ketë kuptuar muajin e saktë të shtatzënisë nga bisedat që i kishte bërë ajo me koleget e saj. /Telegrafi/