Polici Avni Berisha, i njohur me nofkën “Tarkani”, është rikthyer në punë pas masës së suspendimit në lidhje me rastin e sulmit ndaj ish- drejtorit të “Vala”-s, Agron Mustafës.
Ndaj tij është ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, pasi që lënda ishte transferuar në Gjilan për t’u rikthyer prapë në Prishtinë.
Lajmin për rikthimin e “Tarkanit” në pozitën e tij të mëparshme e ka konfirmuar edhe Zyra e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, në përgjigjen e vet tha se fillimisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore duke suspenduar zyrtarin në fjalë i cili është i dyshuar për përfshirje në konflikt, për të vazhduar më pas me procedurat e mëtejme ligjore nga institucionet kompetente.
“Ndërsa tani i njëjti pas rekomandimeve dhe përfundimit te masës se suspendimit, bazuar në procedurat e parapara është kthyer në PK. Policia e Kosovës, veprimet e mëtejme procedurale do t’i ndërmarrë varësisht nga vendimi i organeve te drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Deri në suspendim, ai ka punuar nv Njësitin Anti-Drogë të Policisë së Kosovës.
Kallxo.com ka kërkuar edhe nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës, se çka është ndërmarrë me rastin.
Ata kanë thënë se rastin e kanë dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në kuadër të PK-së për hetim disiplinor.
“Ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastin në fjalë, ndaj zyrtarit policor A.B. ka ngritur kallëzim penal i cili është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Nga kjo prokurori jemi të njoftuar se ndaj të njëjtit është ngritur aktakuza. IPK-ja në lidhje me këtë rast ka përfunduar të gjitha veprimet hetimore dhe me një njoftim zyrtar, rastin e ka dërguar edhe në Drejtorinë e Standardeve Profesionale për hetime disiplinore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Kallxo.com.
Një natë para ndrrimit të motmoteve në vitin e kaluar, Agron Musafa atë kohë drejtor i “Vala”-s ishte sulmuar në mes të ditës nga dy persona.
Në një konferencë të jashtëzakonshme më 30 dhjetor të vitit të kaluar në orët e vona të mbrëmjes, Mustafa pati deklaruar para gazetarëve se Avni Berisha (Tarkani) dhe shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti e kanë sulmuar pa asnjë arsye.
Në prill të këtij viti Ish- drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, i pandehuri Avni Berisha i njohur me nofkën ‘Tarkani’ dhe dëshmitarë të tjera janë intervistuar në rastin e incidentit të dhjetorit të vitit të kaluar në Prishtinë në të cilin xhirimet tregojnë sulmin ndaj Mustafës.
Versioni i Mustafës për sulmin para prokurorisë kishte ndryshuar karshi shefit të krimeve ekonomike, Nazim Sahitit.
Në maj Prokuroria Themelore e Gjilanit, kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Avni Berisha (Tarkani) në lidhje me sulmin e dhjetorit të kaluar ndaj ish drejtorit të “Valës”, Agron Mustafës. Vepra penale për të cilën akuzohet Berisha, sipas KPRK-së, parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në një vjet.
Pas ngritjes së aktakuzës ndaj zyrtarit policor, Avni Berisha i njohur me nofkën “Tarkani”, lënda gjyqësore është transferuar nga gjykata e Gjilanit në Prishtinë.