Site icon Telegrafi

“Polici i ajrimit u përlesh me Mjaçajn”, kreu i Sindikatës kundërshton akuzën

Pas ngjarjes në burgun e Peqinit, ku mbeti i vrarë një prej të dënuarve, thuajse i gjithë zinxhiri komandues i këtij institucioni është ndaluar me urdhër të prokurorisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve të deritanishme dhe nga marrja në pyetje e autorit, bëhet e ditur se arma e zjarrit është futur në burgun e Peqinit dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjaçaj për rreth 20 dite.

Valentin Macaj, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore tha në një intervistë për Euronews Albania se zinxhiri drejtues i burgut të Peqinit dhe forcat operacionale të burgut kanë mundur të vënë nën kontroll situatën shumë shpejt.

Macaj tha se është e pavërtetë që neutralizimi i Mjacajt u bë nga RENEA apo policia e shtetit, por nga vetë drejtori i përgjithshëm i burgjeve dhe drejtori i burgut të Peqinit.

“Për 20 minuta kanë qenë në Peqin gjithë trupat e forcave operacionale, drejtori i burgjeve, që kanë vënë situatën nën kontroll, pastaj është lajmëruar policia. Policia njoftohet vetëm në mbështetje dhe nuk hyn brenda ambienteve të burgut. Ai është neutralizuar, duhet thënë që polici i ajrimit është përleshur me Mjacajn dhe ky i fundit i ka drejtuar edhe pistoletën në kokë, brenda regjimit nuk ka armë asnjë punonjës police. Nuk është tërhequr as punonjësi, as shefi i policisë dhe ka qenë ndërhyja e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që e kanë neutralizuar bashkë me forcat e policisë së burgut”, tha Macaj.

 

Exit mobile version