Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë.
Përmes memorandumit do të ofrohen zbritje në produkte dhe shërbime në bizneset anëtare të AKB-së për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit e Kosovës.
“Ky memorandum bashkëpunimi do të ofrojë zbritje për zyrtarët policor dhe zjarrfikësit në produkte dhe shërbime nga 5-50% në sektorin e ushqimit, veshmbathjeve, derivateve të naftës, shërbime mjekësore, shërbime juridike, transport me taksi, hoteleri dhe gastronomi, si dhe qiramarrje të mjeteve”, thuhet në njoftimin për media të MPB-së.
Tutje, bëhet e ditur se pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit do të njoftohen për fazat e implementimit të kësaj marrëveshje, përmes personave të caktuar brenda institucioneve të tyre.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të vijojë angazhimin me qëllim të mbështetjes së zyrtarëve dhe agjencive të saj”, vijon njoftimi. /Telegrafi/