Derisa Ambasada Amerikane në Kosovë rekomandon qytetarët e saj që të rishikojnë planet e tyre të sigurisë dhe derisa Policia e Kosovës ndërprenë pushimet vjetore, si dhe rritë orarin e punës nga 8 në 12 orë, sot në kryeqytet nuk është dëgjuar kambana e Katedrales “Nënë Tereza”.
Kambana e Katedrales dëgjohej nga ora shtatë në Prishtinë, por jo edhe sot.
Policia ka shtuar kontrollet rreth kishave dhe manastireve, kurse, kryeministri Isa Mustafa dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës, shkruan KP.
Krejt kjo pasi shteti institucionet janë në alarm për shkak “të rrezikut nga sulme të mundshme terroriste” dhe për shkak të “krizave politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni”.
Kurse, Ambasada Amerikane u ka dhënë udhëzime qytetarëve të vet se si të veprojnë në rast të ndonjë sulmi terrorist.
“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, sugjeron Ambasada amerikane për qytetarët e saj në Kosovë.
“Në rast të ndonjë sulmi terrorist në qytetin tuaj ose ku jeni duke udhëtuar, qytetarët amerikanë duhet të përcjellin instruksionet e sundimit të ligjit lokal dhe personelin e shërbimeve të emergjencave, të monitorojnë informacionet për sigurinë në ueb-sajtin e Ambasadës amerikane. Ndërsa, për më shumë informacione duhet të shikojnë ueb-sajtin e udhëtimeve të Departamentit të Shtetit për Kujdes në gjithë botën, paralajmërimet e udhëtimeve, dhe informatat specifike të Kosovës”, thotë Ambasada amerikane në Prishtinë. /KP/
Foto: Arkiv