Ka ardhur një kthesë e re në skandalin e madh që ka përfshirë lojën e shahut, ku raportohet se shahisti i njohur, Hans Niemann, mund të ketë marrë ndihmë të paligjshme në më shumë se 100 lojëra online.
Nëse është e vërtetë, mjeshtri i madh amerikan ka mashtruar shumë më shpesh sesa është zbuluar.
Kjo vjen nga një raport prej 72 faqesh nga Chess.com, i aksesuar nga Wall Street Journal.
Akuzat e Carlsen kundër Niemann
Dyshimet rreth 19-vjeçarit u përhapën në shtypin ndërkombëtar kur kampioni i botës Magnus Carlsen fillimisht sugjeroi dhe më pas akuzoi publikisht, nëpërmjet një deklarate në mediat e tij sociale, se ai po fitonte me mjete të paligjshme.
Norvegjezi ishte i bindur se kundërshtari që e mundi në Kupën Sinquefield dhe kundër të cilit u tërhoq nga Champions Chess Tour pas vetëm një lëvizjeje ishte mashtrues.
My statement regarding the last few weeks. pic.twitter.com/KY34DbcjLo
— Magnus Carlsen (@MagnusCarlsen) September 26, 2022
Në atë deklaratë, Carlsen pranoi se donte të vazhdonte të luante shah, por se mashtrimi është një kërcënim ekzistencial për lojën.
Ai tha se pothuajse u tërhoq nga Kupa Sinquefield kur mësoi se Niemann – i ftuar në minutën e fundit – do të luante dhe se ai beson se Niemann ka mashtruar më shumë herë sesa pranon.
Niemann mbrohet nga akuzat
Niemann i ka mohuar akuzat se është mashtrues, megjithëse ka rrëfyer se ka shkelur rregullat e lojës së ndershme të paktën dy herë në të kaluarën duke përdorur motorët e shahut, fillimisht në moshën 12-vjeçare në një turne online dhe më pas në moshën 16-vjeçare.
Megjithatë, ky hetim i fundit, i cili u bë publik të martën mbrëma, deklaroi se Niemann rrëfeu privatisht për akuzat dhe më pas u ndalua për një kohë nga Chess.com, platforma më e njohur e shahut në botë. /Telegrafi/