Duket se gjërat sa po kalojnë e po vështirësohen për francezin Paul Pogba te Machester United.
Futbollisti raportohet se është ndier i nënvlerësuar me lënien jashtë në fitoren ndaj Fulhamit.
Mesfushori e kaloi gjithë ndeshjen duke qëndruar në bankën rezervë pasi menaxheri Jose Mourinho refuzoi ta inkuadronte, pavarësisht se Djajtë e Kuq po merrnin fitoren e tyre më të thellë të sezonit në Ligën Premier.
Një burim i klubit i tha Daily Star se Pogba është i befasuar me veprimin e trajnerit portugez.
“Paul është i hutuar, sepse nuk është i vetmi që ka luftuar për të prodhuar më të mirën e tij në javët e fundit”.
“Ai ndjehet sikur është veçuar nga ekipi, por që është bërë një shembull për të tjerët. Është pak poshtëruese duke marrë parasysh statusin e tij në lojë”, tha burimi.
Ndryshe, 25-vjeçari deri më tani është paraqitur në 71 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola për United. /Telegrafi/