Ole Gunnar Solskjaer ka theksuar se Ashley Young do të qëndrojë kapiten i skuadrës, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që Paul Pogba të jetë lojtari që do ta bartë shiritin, edhe pse në media raportohet se francezi mund të largohet.
Sipas Mino Raiolas, klienti i tij e dëshiron largimin nga Manchester Unitedi, por aktualisht duket e pamundur të ndodhë, pasi klubi kërkon 180 milionë euro nga shitja e mesfushorit.
Tani, trajneri norvegjez po deklaron se 26-vjeçari mund të bëhet kapiten i Djajve të Kuq nga sezoni i ri, pasi që është pyetur nëse ai është në mesin e kandidatëve për ta marrë shiritin.
“Po. Ne kemi disa mundësi dhe kur të fillojë sezoni i ri, do ta bëjmë njoftimin. Natyrisht, do të kemi fillimisht një marrëveshje, të shohim se si shkon para sezoni”, ka thënë fillimisht Solskjaer.
“Por, ju e keni parë, Ashley Young është duke e bartur atë kur luan, derisa të vendosim se kush do ta bartë shiritin e kapitenit”, ka shtuar më tej ai.
Pogba e kishte bartur shiritin në fillim të sezonit të kaluar, përfshirë këtu ndeshjen hapëse ndaj Leicester Cityt, por më pas u acaruan raportet me Jose Mourinhon dhe e humbi shiritin e kapitenit. /Telegrafi/