Përgatiti: Telegrafi.com
Pllaka e vogël e baltës e njohur si “Istanbul 2461”, e cila ruhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit, përmban poezinë më të vjetër të dashurisë të njohur në botë. E shkruar në gjuhën sumeriane midis viteve 2037 dhe 2029 para Krishtit, kjo poezi është gdhendur në formën kuneiforme dhe është thesar i njerëzimit që ka mbijetuar deri në ditët e sotme.
Pllaka u zbulua në vitin 1889 gjatë gërmimeve në qytetin antik sumerian të Nipurit në Irakun juglindor. U përkthye në anglisht në vitin 1951 nga sumerologu amerikan Samuel Noah Kramer, i cili ka thënë:
Pllaka e vogël me numrin 2461, rrinte shtrirë në një nga sirtarët, rrethuar nga një sërë pjesësh të tjera. Kur ia hodha sytë për herë të parë, tipari më tërheqës i tij ishte se si ishte ruajtur. Shpejt kuptova se po e lexoja një poezi, të ndarë në një sërë strofash, që shënonin bukurinë dhe dashurinë, një nuse të hareshme dhe një mbret me emrin Shu-Sin … Kur e lexova përsëri dhe përsëri, nuk mund të gaboja për përmbajtjen e saj. Ajo që mbaja në dorë ishte një nga këngët më të vjetra të dashurisë të shkruara nga dora e njeriut.
Shu-Sini, i emëruar sipas Sinit, zotit të Hënës – duke u nderuar si “hyjnor” – ishte mbret i sumerëve dhe akadëve, ndërsa sundoi rreth viteve 2038-2028 para Krishtit.
Megjithëse autorësia e saktë e poezisë nuk dihet, besohet të jetë poezi dashurie e shkruar nga një murgeshë e mbretit Shu-Sin. Në poezi, murgesha flet për bukurinë dhe sharmin e mbretit, duke shprehur dashurinë dhe admirimin e saj për të. Në të njëjtën kohë, ajo shpreh qartë dëshirën e saj për të qenë me mbretin.
Poezia përmban këto vargje:
Dhëndër, i dashuri im,
E madhe është bukuria jote, e ëmbël si mjalti,
Luan, i dashuri im,
E madhe është bukuria jote, e ëmbël si mjalti.
Më ke pushtuar, më lër të qëndroj duke u dridhur para teje.
Dhëndër, ti do të më çosh në dhomën e gjumit,
Më ke pushtuar, më lër të qëndroj duke u dridhur para teje.
Luan, ti do të më çosh në dhomën e gjumit.
Dhëndër, më lër të të përkëdhel,
Përkëdhelja ime e butë është më e shijshme se mjalti,
Në dhomën e gjumit, të mbushur me mjaltë,
Më lër të shijoj bukurinë tënde të madhe,
Luan, më lër të të përkëdhel,
Përkëdhelja ime e butë është më e shijshme se mjalti.
Dhëndër, më ke kënaqur,
Tregoi nënës sime, ajo do të të japë ushqime të shijshme,
Babai im do të të japë dhurata.
Shpirtin tënd, unë di ku ta ngazëllej shpirtin tënd,
Dhëndër, fli në shtëpinë tonë deri në agim,
Zemrën tënde, unë di ku ta ngazëllej zemrën tënde,
Luan, fli në shtëpinë tonë deri në agim.
Ti, meqë më do,
M’i jep të lutem përkëdheljet e tua,
Zoti im i mirë, Zoti im mbrojtës,
Shu-Sini im, që gëzon zemrën e Enlilit,
M’i jep të lutem përkëdheljet e tua.
Shtëpia jote është e mirë si mjalti, të lutem vëre dorën mbi të,
Afroje dorën si një rrobë gishbani,
Bashkoi duart mbi të si një rrobë gishbani
Besohet se poezia është skenar për “martesën e shenjtë” vjetore, rit në të cilin mbreti në mënyrë simbolike martohet me perëndeshën Inana, bashkohet me të dhe siguron pjellorinë dhe prosperitetin për vitin e ardhshëm. Një priftëreshë ndoshta e përfaqësonte Inanën, perëndeshën sumere të pjellorisë, dhe mbreti Shu-Sin përfaqësonte Dumuzin, perëndinë e barinjve në prag të bashkimit të tyre.
Kramer ka shkruar:
Një herë në vit, sipas besimit sumerian, ishte detyrë e shenjtë e sundimtarit që të martohej me një priftëreshë dhe ithtare të Inanës, perëndeshës së dashurisë dhe pjellorisë, në mënyrë që të siguronte pjellorinë e tokës dhe pjellorinë në mitër. Ceremonia e nderuar festohej në ditën e Vitit të Ri dhe paraprihej nga gostitë dhe banketet e shoqëruara me muzikë, këngë e valle. Poezia e gdhendur në pllakën e vogël prej balte të Stambollit, sipas të gjitha gjasave është recituar nga nusja e zgjedhur e mbretit Shu-Sin në një prej këtyre manifestimeve të Vitit të Ri.
Studiuesi Jeremy Black, i njohur për punën që me tekstet mesopotamiane, e interpreton poemën në të njëjtën mënyrë:
Kjo është një nga disa këngët e dashurisë të krijuara për këtë mbret, që shfaq besimin në marrëdhënien e tij shumë të ngushtë dhe personale me perëndeshën e dashurisë. Në disa këngë të këtij lloji, emri i mbretit duket se është zëvendësuar thjesht me atë të Dumuzit [dashnori qiellor i Inanës në mit]. Pothuajse me siguri ato janë kryer në kontekstin e disa ritualeve fetare të cilat janë referuar si “martesa e shenjtë”, por detajet e sakta nuk dihen. Besimi se mbreti në njëfarë kuptimi mund të kryente marrëdhënie seksuale me perëndeshën, lidhet ngushtë me besimin se mbretërit e asaj kohe ishin hyjnorë.
Variantet e poemës mund të jenë kënduar gjatë ceremonive rituale që përkujtojnë martesën hyjnore midis dy perëndive në të gjithë Lindjen e Afërt të lashtë, veçanërisht në Egjipt. Përkthimi i kësaj pllake hedh dritë mbi Këngën e Solomonit në Dhiatën e Vjetër, sepse disa fraza janë të ngjashme me poezitë e kënduara gjatë festave të tilla të pjellorisë, si dhe në dasmat sumere.
“Istanbul 2461” ka rëndësi të madhe jo vetëm për vlerën historike dhe letrare, por edhe për historinë e njerëzimit. Kjo pllakë tregon se dashuria është emocion universal dhe se është shprehur në të njëjtën mënyrë mijëra vjet më parë. Gjithashtu ofron informacion të rëndësishëm për njohjen e letërsisë dhe artit sumerian. /Telegrafi/