Në Perëndim është shumë e njohur pjesa e parë e poezisë që fillon me Mos rri pranë varrit tim dhe mos vajto, / Nuk jam aty, nuk fle. Deklamohet në funerale, është përdorur në filma, në muzikë dhe dikur është votuar si poezia më e preferuar e Britanisë.
Por, kush e shkroi?
Për shumë dekada, autorësia ishte e (pa)njohur.
Në vitin 1977, kur aktori John Wayne poezinë e lexoi në funeralin e regjisorit Howard Hawks, vargjet ia atribuoi “autorit anonim”. Më vonë, një shtëpiake nga Baltimori e quajtur Mary Elizabeth Frye, doli me historinë prekëse se si – në një qese letre të kafenjtë – e kishte shkruar në vitet 1930 për një vajzë të re hebraike që shpëtimin e gjeti në Amerikë, për ta ngushëlluar atë për vdekjen e nënës së saj në Evropë.
Kur Frye vdiq në vitin 2004, nekrologjia e The Times-it e shpalli si “autoren e padiskutueshme” të poezisë. Por, historia e saj nuk ishte e vërtetë. Atë e ka shkruar poetja e panjohur – në ditët e sotme – Clare Harner.
Clare Harner lindi më 1 tetor 1909 në Grin të Kanzasit. Kishte dy vëllezër më të mëdhenj të quajtur Collis dhe Olin. Që në fëmijëri shquhej talenti i saj për muzikë dhe për poezi (ishte edhe rrobaqepëse e talentuar). Pas mbarimit të shkollimit të mesëm, regjistrohet në Kolegjin e Emporias – klubin letrar të të cilit e drejtoi. Pastaj transferohet në Universitetin Shtetëror të Kanzasit ku shkroi shumë artikuj për botimet studentore të asaj kohe. Më 1931 merr diplomën për Gazetarinë Industriale. Pastaj zhvendoset në Topika ku punoi si punonjëse sociale dhe sekretare – përpara se të transferohej fillimisht në Denver e më pas në San Francisko ku iu bashkua stafit të shtëpisë botuese Fairchild Publications.
Pas diplomimit, poezitë i botonte në revistat me tirazh të vogël si Expression dhe The Gypsy.
Në vitin 1932, vëllai i saj Olin vdesë në moshën 31-vjeçare.
Në dhjetor të vitit 1934, poezia Pavdekësia [Immortality] të cilën ia kushtoi vëllait të ndjerë – tani e njohur më shumë si Mos rri pranë varrit tim dhe mos vajto [Do Not Stand At My Grave And Weep] – u botua në revistën The Gypsy. Më 8 shkurt 1935 u ribotua në Kansas City Times.
Clare Harner vdiq më 27 janar 1977, në moshën 67-vjeçare. Pas vdekjes së saj, Pavdekësia – poezia që sot është ndoshta një nga më të famshmet dhe më të pëlqyerat në botë – me kalimin e kohës përjetoi shumë ndryshime dhe iu atribuua traditës së varrimit të indigjenëve të fiseve hopi dhe navaho, amvisës Mary Elizabeth Clark Frye, ushtarit britanik Stephen Cummins, anglezit J.T. Wiggins që emigroi në Amerikë, gruas së panjohur Marianne Reinhardt etj. Së fundmi, autorësia e vërtetë nga Clare Harner u trajtua edhe në një emision në Radio 4 të BBC-së.
Më poshtë mund ta lexoni përkthimin në gjuhën shqipe – nga versioni origjinal i botuar në dhjetor të vitit 1934, në revistën The Gypsy. Me pak fjalë, kjo poezi sugjeron se vdekja është transformim, jo fund; se qeniet njerëzore në thelb janë të pavdekshme dhe se përherë jetojnë dhe se janë të pranishme në bukurinë e natyrës dhe në zemrat e më të dashurve.
***
Pavdekësia
Mos rri
Pranë varrit tim dhe mos vajto.
Nuk jam aty,
Nuk fle –
Jam mijëra erërat që fërfëllojnë
Jam diamanti që vezullon në dëborë
Jam drita e diellit mbi grurin e pjekur,
Jam shiu i lehtë i vjeshtës.
Kur zgjohesh me heshtjen e mëngjesit,
Jam forca e atypëratyshme e hedhjes
Së zogjve të qetë në fluturimin qarkor,
Jam dita që kapërcen natën.
Mos rri
Pranë varrit tim dhe mos vajto –
Nuk jam aty,
Nuk kam vdekur.
- Clare Harner, The Gypsy, dhjetor 1934
/Telegrafi/