Babai i Astrit Deharit, Avniu, me rastin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, më 1999, planifikon të kthehet me familje në Prishtinë. Me këtë rast ai ka shkruar poezinë të cilën mund ta lexoni më poshtë.
ATJE PO SHKOJMË
(Me rastin e kthimit nga mërgimi)
Po shkojmë Albanë, po shkojmë
Në Dardani, pranvera ime,
Në tokën tonë, që etja për liri
E ka plasaritur, e ka çarë,
Atje ku ti kurrë nuk ke shkelur,
E unë 19 vjet, shekuj për mua,
Veç ënderr e kam parë!
Po ndahemi Xhemile, po ndahemi
Për një vit, gruaja ime e shtrenjtë,
Që të jemi prapë bashkë
Në Dardaninë tonë të shenjtë!
Po ndahemi Arbënor, po ndahemi,
Arbënori im i urtë, biri im i mirë,
Që pas nje viti të përqafohemi
Në Dardaninë tonë të lirë!
Po ndahemi Astrit, po ndahemi,
O syrrushi im, i mirë shumë,
Do ta kujtoj bisedën e mbrëmjeve,
Para se të merrte i ëmbli gjumë:
“Astrit, shumë, shumë të dua!”
“Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”
Po shkojmë, o atje, atje po shkojmë,
Të dashurit, të mirët e mi,
Atje, në Dardani, po shkojmë
Në vendin tonë, si njerëz, në liri!
(Bernë, 1999)