Nga: Sulejman Mato
Qëllimi i këtyre shënimeve nuk është thjesht për të zbuluar zanafillën e kësaj vepre, por edhe të hedhim dritë mbi një fshat të vjetër, të braktisur, në brigjet e Himarës, të quajtur Skutara.
De Rada e nisi punën duke mbledhë këngë popullore, “duke shkruar dhe ndonjë sipas tyre e cila nuk i doli fort e keqe” (J. de Rada. ). Fillimisht ai ishte njohur një përmbledhje këngësh popullore të Françesk Avatit (vdekur në vitin 1800) e cila i kishte rënë në dorë përmes studiuesit Vinçens Dorsa, nip i te cilit ai ishte nga nëna. Ka mundësi që ai të jetë njohur edhe një përmbledhje tjetër edhe më të hershme, të viteve 1613-1630. Kjo ka qenë përmbledhja e Mikele Belushit, më i vjetri dorëshkrim i këngëve tona popullore të bartura nga brigjet amtare (kohet e fundit marrim vesh qe Belushët e emigruar ne Kalabri janë nga fisi Belush i Himares, fis i Fane Veizit).
Ajo që nxiti dyshimin tim, për ndërkallje këngësh popullore në veprën “Milosao”, është toponimia e veprës, e cila gjendet e tillë dhe në fshatrat e Himarës.
I pari toponim është Skutari, i cili gabimisht, nga studiuesit tanë është identifikuar me Shkodrën.
Mirëpo, ekzistojnë faktet që flasin për emigrime masive që kanë ndodhur nga fshatrat e Himarës për në Itali, si dhe për ekzistencën e një kodre me emrin Skutara, përballë fshatit Vuno të Himarës. Duke e ndjekur më tej këtë problem, kam hasur në një dëshmi tjetër me rëndësi:
“Në Skutara ka pasur familje që kanë emigruar në Kalavre. Janë sot emrat e arave të këtyre familjeve …” tregon Kaliopi Qirici (datëlindja 1908) të cilës ia ka treguar Ilia Qirici (i datëlindjes 1870). Ky i fundit e ka sjellë këtë fakt, si gojëdhënë nga prindërit e vet.
Poshtë fshatit Vuno të Himarës gjenden gjurmë të një vendbanimi të vjetër dhe të madh për atë kohë.
Në Vuno ka jetuar një pjesë e fisit të madh të Thopajve, i cili na kujton poemën Serefina Thopia, të de Radës. Ja pse këto dy poema fillimisht janë gjendur në një simbiozë të vetme.
Edhe studiuesi i de Radës, Dh. Shuteriqi, e ka konsideruar si një pasaktësi historike faktin që Topiajt e Durrësit vendosen prej autorit në Himarë, dhe që Serafina është jo e Topiajve … por e Thopajve.
Do të pranohej si një pasaktësi, në qoftë se ne nuk do të dinim gjë për Thopajt e Himarës. Në nr. 2 të revistës “Ylli i Dritës”, në një shkrim për Himarën, përmendet dhe familja e Thopajve, mëhallë e Vunoit.
“Thopajt që janë të ardhur nga Kamenica, para më shumë se 300 vjetëve”.
Skutari (fshat) apo Shkodra (qytet)?!
Autori thotë se kemi të bëjmë me ngjarje të viteve 1403- 1418, pra, me një ngjarje të parapushtimit osman, në katundin Skutari. Shkak për bashkimin e dy të rinjve nga shtresa të ndryshme, Milosaos dhe Rinës, bëhet tërmeti i 5 marsit 1410, i cili e rrafshoi për tokë katundin e tyre. “Skutari s’thuhet me katund”, thotë autori, në këngën XX. Qenka rrënuar dhe kisha ku mund të celebroheshin, ndaj Milosaoja i thotë Rinës:
“Përtej maljit ka priftëra që të na martonjën …”!
Cili është ky katund? Skutari (Shkodra …) siç është quajtur më vonë, përkthyer e përshtatur, apo një fshat imagjinar, vendbanimi i vjetër në brigjet e Himarës, në shpat të malit Skutara? Unë mendoj se te botimi i parë (1836) është skicuar në letër një katund bregdetar me emrin Skutara. Në poemë përshkruhen pamjet e një fshati, me toponime dhe zakone të tjera të jetës. Ndryshimet e mëvonshme nuk e kanë shuar dot pamjen e një fshati mesjetar të Himarës.
Autori, si një njohës i mirë i gjuhës, i historisë dhe shkencave të tjera, nuk kishte si të ngatërronte dy vendbanime krejt të ndryshme, katundin me qytetin e aq më shumë, të përshkruante Skutarin, një katund bregdetar, nën një klimë bizantine, pranë Selanikut e që merrej kryesisht me blegtori … me Shkodrën, një qytet i madh verior, nën fenë katolike dhe nën influencën romake!?
Autori s’kishte si të mos bënte dhe ndryshime të tjera, për të përshkruar qytetin e Shkodrës i cili lagej nga liqeni, dhe jo një katund me emrin Skutarë, përballë detit. Nga të dhënat historike për qytetin e Shkodrës, në fund të shekullit të 14-të do të shohim që:
Shkodra në atë kohë ishte një qendër e madhe administrative që zotëronte 161 fshatra, me katër pazare, qendër me rëndësi ekonomike e kulturale. Për Shkodrën dimë që, në kohën kur zhvillohen ngjarjet në vepër, ishte nën venedikasit. (gjer me 1478, kur e morën turqit) Edhe këtë pasaktësi e vë re studiuesi Dh. Shuteriqi, në shënimet e tij në variantin e ri të përshtatjes “Milosao” (1964). Duhet të jetë një lapsus i poetit, ka thënë ai, që Milosaoja të shkonte për studime në Selanik. A mund të ketë patur dijeni de Rada për një katund në territorin e Himarës me emrin “Skutara”?
Përkushtimi që ai i bën veprës “Dhimitër Lekës nga Himara” flet qartë për lidhjet që de Rada ka patur me Himarën dhe himariotët e kohës së vet. Epigrafi është shkruar në greqishten e vjetër: “Shkëlqesisë së Tij, gjeneral, brigadier, komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit” (Shqipërisë).
Autori duhet të ketë ditur shumë këngë, histori dhe fakte te tjera, rreth katundeve nga kishin ikur të parët e tij, jo vetëm nga të dhënat e mikut të tij Dh. Lekës, por edhe nga gojëdhënat dhe këngët popullore e mbledhura prej tij dhe autorëve të tjerë.
Ky ekstrat poetik popullor, siç është vënë re nga të gjithë, ndjehet në vepër i plotë. Dhe pikënisja e tij, në hartimin e kësaj poeme, e tillë është. Këtë gjë e pohon vet autori në “Autobiografinë” e tij.
“Fillimisht ia nisa punës për të hartuar disa vjersha sipas modeleve të poezisë popullore dhe vërejta me kënaqësi se ato nuk më dolën të këqija”.
Dëshmi mbeten toponimet. Të duket sikur janë filmuar në kujtesë dhe pastaj përshkruhen me saktësi mjediset e këtij katundi të lashtë, me kishën e Shëndellisë (Shën Ilisë), kishën e Shën Todrit, Shën Ilias, lumi i Belovodhit etj. De Rada e botoi veprën me titullin “Poezi arbëreshe të shek. XV”. Fillimisht ai dëshironte të mbetej anonim, siç ishte krijuar modë në atë kohë edhe nga autorë të tjerë. Duke e quajtur krijimin autentik popullor … Mirëpo, suksesi i saj ishte i madh dhe i pamenduar.
* * *
Në këngën XVIII, vargu 15, autori na informon për prejardhjen e familjes së Milosaos. Ai thotë: “i Parganiot Miloshinit”.
Duke iu referuar këtij fshati, ka autorë (këtu fusim edhe studiuesin Dh. Shuteriqi), që e kanë identifikuar këtë fshat me qytetin Parga të Greqisë, e që më vonë janë tërhequr, pasi edhe vet kanë patur dyshime. Duhet të jetë ndonjë pasaktësi e autorit, thotë Shuteriqi – pasi nga Shkodra nuk kishte mundësi të shkoje për studime në Pargë të Greqisë. Jo aq për largësinë se sa ngaqë Shkodra ishte nën pushtimin Venecian.
Mund të pranohej Parga e Greqisë, nëse nuk do të kishim njohuri për vendbanimin e vjetër afër Skutarës. Pargnantin.
Poshtë manastirit të Skutaras, gjenden dhe sot gjurmë të një fshati të braktisur, të quajtur “Pagnanat”. Në afërsi të Skutarës kemi vendbanimet e vjetra të braktisura të një fshati me këtë emër.
Në një nga këngët e para të poemës thuhet: “Dhëndri nga katundi i huaj”. Fillimisht do të ketë qenë fjala për katundin Pargnanat. Nga disa vargje të këngës XXV del se e bija e Kallogresë vjen nuse nga një katund fqinj:
Kur la shtëpinë etet, gjitonët u errësuan
se zilepsnin fatmadhin, katundin e dhëndërrit.
Nëse do të pranonim që Miloshini është i Parganiot, atëherë duhet të jetë Rina e Skutariote. Këtë gjë e sqaron më së miri: “Kënga e bijës së Kallogresë:
Kur unë dal tek shureza, Vucën merr e vjen tek lumi, porse mb’udhë e trëmbur, kthehet e vështron katundin (Vucë dhe sot në Vuno i thonë bucelës që mbushin ujë).
Dy të rinjtë takohen diku larg fshatit. Milosaoja vjen herë në këmbë herë mbi kalë. Ka mundësi që pika e takimit të tyre të jetë lumi i Belovodit, midis dy fshatrave fqinj: Skutarat e Pargnatat.
Milosao është bir i despotit “Si liri për gjithë vendin qe shtëpia e tim gjyshi por tani është nën të tjerë, nusja nuk gjen në shtëpi asgjë për t’u madhështuar”.
Nga këto vargje informohemi se i ati i Milosaos paska qenë një kapedan trim, sa qe gjallë “ishte liri për gjithë vendin”, pas tij dera e tyre duhet të jetë rrënuar ekonomikisht. Ai ka qenë i pari i katundit. Mbi këtë fakt hedh dritë figura e gjyshit të Milosaos.
Kur shkon Milosaoja në Stan të Marlules, çobanët e presin me shumë dashuri. E gostitin me qumësht të ngrohtë dhe i tregojnë me lot në sy:
Gjyshi yt kur vinte këtej
vetëm qumësht të ngrohtë donte. Luftën këtu e harronte …
Autori përshkruan me besnikëri realitetin e fshatrave jugore të atyre viteve, shek. XIV-XV. Para pushtimit turk, fshatrat e Shqipërisë ruanin format e lashta të familjes, siç ishin bashkësitë familjare … Krerët e fiseve, ndonëse me nderim quheshin dhespot, nuk kishin fituar pozitën e plotë të një feudali, gjë që do t’i vinte në pozita kundërshtare me katundarët.
Vepra Milosao – thotë Çabej – “përkon si dy pika uji me formën arkaike të poezisë së asaj zone”.
Emigracionet e shqiptarëve në Itali
Një valë e madhe i përket vitit 1442, më vonë kemi emigracion të vitit 1448 dhe 1483. Masa dërmuese e themeluesve të ngulimeve arbëreshe rrjedh prej bregdetit, ç’mban afërisht prej anëve të Vlorës gjer në anët e Prevezës. Atje të çojnë si format gjuhësore ashtu dhe emrat e njerëzve e të vendeve dhe elementët etnografikë e të poezisë popullore”.
Vepra sjell mesazhe të sakta për rënien e një tërmeti … i cili ka rënë në brigjet e Himarës. Ai paska qenë aq i beftë dhe aq i fortë sa ka rrëzuar në pak sekonda gjithçka.
Çuditërisht, në asnjë variant nuk ka ndryshim në saktësinë e datës së rënies së tërmetit. Koha e tij është fiksuar 4 mars, duke u gdhirë 5 marsi i vitit 1410.
Dh. Shuteriqi në studime filologjike (nr. 1. 1974. faqja. 69) përmend se pikërisht kjo këngë duhet të jetë marrë fillimisht prej Radhoit të Frashinetës, i cili është gjetur në shtëpinë e poetit Dorsa, mikut të De Radës.
Kisha e Shën Mërisë së Mesosporitës (Mesodhisë)?
Tërmeti i vitit 1410 shembi kishën e Shën Mërisë (së Mesosporitës, Shenmëria e të mbjellave). Kjo është Shën Mëria e kishës bizantine e cila gjendet pikërisht në fshatin Vuno.
Në një studim mbi kishat e vendit tonë, e vetmja kishë me këtë emër është ajo që dëshmohet në Vuno, përballë Skutarasë. Në vepër ka dy vargje:
“Përgjunjur në Shëndëlli, përballë Mesosporites”!
Me interes për t’u përmendur është dhe ky fakt:
Në mbledhjen folklorike të M. Belushit të ri: “Kanti Sakri”, autori ka dedikimin: “Lodhjen tonë”, thotë ai, “ia dedikojmë zonjës Roza Skutari, e cila me një freski rinore kujton kohën e shkuar dhe na recitoi shumë prej tyre”.
Mos vallë tek ky mbiemër, si dhe këngët e kësaj gruaje të moshuar, të ruajtura në kujtesë, gjejmë gjurmë të një Skutari në brigjet e Himarës?!
Skutari s’thuhet me katund, -thotë de Rada, -për shkak të braktisjes, pas tërmetit të madh të 1410-tës.
Nga të gjitha sa thamë unë mendoj se de Rada vërtet mblodhi në popull nektarin e këngëve popullore, por, duke qenë një mjeshtër i madh i poezisë i shkriu ato brenda përfytyrimeve të veta liriko-filozofike, duke i dhënë veprës dhe patosin patriotik për atdheun që lanë të parët e vet.
Për ilustrim të asaj ç’ka marrë de Rada nga populli dhe si i ka qëndruar asaj me daltë në dorë, sjellim këngët, XX dhe XXX, ku përmendet toponimi Skutari, më tepër edhe për të sjellë këtu koloritin arkaik të gjuhës sonë të folur në emigracion:
Kënga XX (e datuar më 5 mars 1410) Fietta in mbitura
Dielli sqepur reshit
Pa oreks zemër e gravet kur u reth një shkuntuljim.
Kin ullinjët të munduri, shpit të suvarrosura
Ljen njërin te voll e dheut
Ljeghemistin frushkuljit.
Gjintjes çë e skotisur Sillej e përpiqej mb’udh,
Nd’at nat të pa bes,
më proteksa vashëzën at mes golëzën
at kryekështenjëzënp
si më shihte plot ampni
Ll’ill ç’ë zemërat oreksën
Ll’ill që thot “më ruani dritën”,
Jeta së sholjaret. Bardhullore u’më pe
I bardhë bir bujari
Se ti më merr, ti ku më qell
Nëng jam u zonj e madhe
Si bushtra e jot kunat.
Skutari s’ë thughiet më katund.
Përtej malj
Priftëra jan të na martonjën
Vargjet janë marrë nga kënga XI e Radhoit të Frashnitës, ku përherë të parë hasim emrin Skutar.
Në variantin e vitit 1834, kënga XX ka 16 vargje. Në to nuk përmendet emri i Skutarit, as tërmeti që bie, as ikja e dy të rinjve larg fshatit, ku gjejnë një kishë për të bekuar martesën.
Në variantin IV të vitit 1873, në ripunimin e mëtejshëm të kësaj kënge, autori e ka mohuar vizionin e një fshati bregdetar duke shkruar:
“Shkodra ime ti ku më ishje hira aq e besëme”.
Gjithkush mund të pyesë: Çfarë e ka shtyrë autorin për të bërë ndryshime të tilla? Mos vallë pas 40 vjetësh përpunim, autori kërkon t’i japë veprës tone patriotike, duke përmendur këtu Shkodrën, qytetin më të madh të Shqipërisë së Veriut? Kur vepra mori tingëllim të paparashikuar patriotik dhe u bë një mesazh politik për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, atëherë dhe atdheu kërkohej të identifikohet me Shkodrën. Aq më tepër që në vitin 1835 në Shkodër kishin ndodhur disa trazira të cilat, siç thotë Dh. Shuteriqi, “nuk kaluan pa u vënë re, si brenda dhe jashtë vendit”.
Po i mbyll këto shënime duke sjellë ndër mend vargjet e fundit të poemës, për t’u lënë në kujtesë shqipen tonë të dashur, që arbëreshet e mbartën dikur matanë detit:
Friti eer e malevet e rëzoi hien e lisit;
gjaku im tek Lumi Vodit
Gapni spervierin
Ushtërtor, u të më shoh
Skutarin e time motër tek finestera kundrela.
Me attie s’ë zgjoniem lulevet që tundin era
si suvaal e pa fernuam.
Mblidhen shokët mbrëmanet
Ndë katund ndë vatërat
u mi lee si ëndërrëz …