Me pagesë është bërë qëndrimi për ata që ulen në mes të Sheshit të Podujevës. Këtë hapësirë publike komunarët e Podujevës e kanë shndërruar në ëmbëltore private, shkruan Koha Ditore.
Ëmbëltorja “Kimi” e ka marrë nën menaxhim këtë hapësirë për këtë sezon veror. Ky ndërrim destinacioni i këtij sheshi është bërë nëpërmjet një ftese publike për shfrytëzimin e hapësirave publike që Komuna e Podujevës e kishte shpallur në shkurt të këtij viti.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (SHPMSH), Faik Muçiqi, thotë se ftesa nuk ka paracaktuar lokacionet, por ato janë propozuar nga vetë të interesuarit. Njësoj thotë se ka ndodhur edhe për sheshin e qytetit.
“Në fillim të shkurtit, Komuna e Podujevës ka bërë një ftesë publike për të gjithë të interesuarit për shfrytëzim të hapësirave publike në qytet, duke përfshirë vendosjen e tavolinave shërbyese kryesisht para lokaleve të tyre, shfrytëzimin e hapësirave të tjera në qytet për reklama, shitës të luleve, etj. Qëllimi ka qenë që hapësirat publike të jenë në menaxhim të Komunës, të krijohen të hyra nga shfrytëzimi i hapësirave publike dhe të ketë edhe rregull më të madh në këto hapësira që shfrytëzohen”, ka thënë Muçiqi.