Site icon Telegrafi

Podujeva bëhet me urgjencë të re mjekësore, Kurti: Kjo urgjencë do të shërbejë edhe për rajonin e veçanërisht bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës

Nga data 2 dhjetor, qytetarët e Komunës së Podujevës dhe më gjerë do të kenë mundësi të marrin shërbime shëndetësore në urgjencën mjekësore “Doha”, projekt ky i cili u inaugurua sot në vlerë rreth 1.7 milionë euro, prej të cilave Komuna ka participuar me 600 mijë, ndërsa organizata Qatar Charity 1.1 milion euro.

Urgjenca mjekësore “Doha”, me sipërfaqe 1 mijë e 600 metër katrorë, u vlerësua si një projekt me rëndësi madhore, e cila do të ketë ndikim në përmirësimin e shërbimeve për pacientët.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo urgjencë do të shërbejë jo vetëm për qytetin, por edhe për rajonin e veçanërisht bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës.

“Është një projekt me rëndësi madhore për Podujevën. Duke pasur parasysh pozicionimin strategjik përkatësisht edhe afërsinë me pikën kufitare në Merdar, urgjenca do të na shërbejë jo vetëm për qytetin dhe mbarë vendin, por edhe rajonin e veçanërisht bashkatdhetarët nga Lugina…Edhe më herët ka pasur aktivitete që janë realizuar edhe përmes organizatave të ndryshme joqeveritare e gjatë vitit 2022 janë realizuar projekte miliona eurosh”, tha Kurti.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se qytetarët tash e tutje mund të gëzojnë shërbimet shëndetësore.

“Sot kemi nderin të inaugurojmë urgjencën e re në qytetin e Podujevës, një ndër objektet më moderne në vend për shërbime urgjente shëndetësore. Ky projekt i rëndësishëm, i realizuar në partneritet me Qatar Charity, ka vlerë 1.7 milionë euro, nga të cilat 1.1 milion janë financuar nga Qatar Charity dhe rreth 600 mijë euro nga buxheti komunal i Komunës së Podujevës. Ky investim i përbashkët dëshmon përkushtimin tonë për të sjellë shërbime shëndetësore të shpejta, të sigurta dhe cilësore për qytetarët tanë. Urgjenca e re e Podujevës është e pajisur me teknologji dhe infrastrukturë më të përparuar që do të mundësojë një kujdes më efikas nga ekipet tona mjekësore. Ky objekt nuk është thjesht një ndërtesë e re, është një garanci për qytetarët, se në çdo rrethanë do të kenë qasje në shërbimet shëndetësore të cilat meritojnë. Ndërkohë që objekti inaugurohet sot, shërbimet për qytetarët do të fillojnë zyrtarisht me datë 2 dhjetor”, tha ai.

Ambasadori i Katarit në Tiranë dhe Prishtinë, Jaber Ali Adouseri u shpreh se ky projekt pasqyron raportet e mira ndërmjet dy shteteve.

“Ky projekt pasqyron thellësinë e marrëdhënieve ndërmjet shtetit Katarit dhe Republikës së Kosovës, dhe shpreh përkushtimin e Katarit për të përmbushur projektet zhvillimore dhe shëndetësore që i shërbejnë shoqërisë kosovare dhe kontribuojnë në rritjen e stabilitetit të mirëqenies së saj”, tha ai./kp/

Exit mobile version