Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Elvir Azizi, nënshkruan marrëveshje (kontratë) për shfrytëzimin afatgjatë të objektit që është i dedikuar për Poliklinikë Specialistike.
Në njoftimin për media thuhet se ky objekt që është pronë e Komunës së Podujevës, në bazë të kësaj kontrate i jepet SHSKUK-së në shfrytëzim afatgjatë pa pagesë.
Ndërkohë, SHSKUK-ja do të bëjë rekrutimin e stafit të mesëm dhe blerjen e disa pajisjeve të nevojshme, për të cilat tashmë i kanë nisur procedurat e prokurimit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes-kontratës, kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur që qytetarëve të Podujevës shumë shpejt do t’u ofrohen shërbime specialistike në komunën e tyre, për të cilat deri tash janë detyruar të udhëtojnë në Prishtinë”, thuhet në njoftimin.
Në këtë ceremoni të pranishëm kanë qenë edhe ministri për Shëndetësi, Arben Vitia dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Podujevës, Adelina Stublla. /Telegrafi/