Sipas vendimit të jurisë në këtë përbërje: Jusuf Buxhovi (kryetar), Arif Demolli (anëtar) dhe Avdi Visoka (anëtar), Çmimi Kombëtar “Azem Shkreli”, i cili i jepet krijuesit të dalluar për vepër jetësore, i cili me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e letërsisë, në krijimtarinë dhe në veprimtarinë e tij, i është dhënë poetit Ali Podrimja, ndërkohë që Çmimi Vjetor “Azem Shkreli”, i cili jepet për veprën më të mirë në fushën e letërsisë të botuar brenda vitit, i është dhënë Nysret Krasniqit për veprën “Udha kratilike”.
Në arsyetimin e jurisë për ndarjen e Çmimit Kombëtar “Azem Shkreli”, veç tjerash, thuhet se Ali Podrimja është padyshim zëri më i veçantë, më origjinal, më kumbues, më depërtues, më me ndikim në poezinë tonë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të fillimit të shekullit tonë, duke shtuar se ky çmim është një mirënjohje e vogël për krijimtarinë e madhe e të jashtëzakonshme të këtij poeti.
Ndërkaq, në arsyetimin e jurisë për ndarjen e Çmimit Vjetor “Azem Shkreli”, veç tjerash, thuhet se libri “Udha kratilike” i Krasniqit është një studim i problemeve filozofike e teorike që nga antikiteti e deri sot dhe, si i tillë, përqendrohet në tekstin si bazë e lidhjeve kulturore me tekste e kultura të ndryshme, duke shtuar se, përmes interpretimit të veprës së Mitrush Kutelit, ky studiues ka shënjuar një model interpretimi që bëhet i përdorshëm edhe për analizën e teksteve të tjera letrare.
Çmimi Kombëtar “Azem Shkreli”, i cili jepet çdo vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vlerën monetare prej 5.000 euro, ndërkaq Çmimi Vjetor “Azem Shkreli” ka vlerën monetare prej 3.000 euro. /Telegrafi/