Sergio Ramos nuk u përfshi në skuadrën e Paris Saint-Germain për t’u përballur me Nantes të shtunën dhe mbetet e paqartë nëse ai do të udhëtojë me skuadrën për në Angli, ku do të përballen me Manchester Cityn të mërkurën.
Ish-kapiteni i Real Madridit nuk ka shumë kohë që ka nisur stërvitjen me pjesën tjetër të shokëve të tij të skuadrës pasi u rikuperua nga një dëmtim që e ka penguar të debutojë me PSG-në, pas lëvizjes së tij gjatë verës nga Los Blancos.
I pyetur nëse Ramos do të jetë në skuadër për ndeshjen në Etihad Stadium, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino hezitoi të japë një përgjigje të qartë.
“Nuk e di”, deklaroi Pochettino për Amazon Prime Video.
“Është e rëndësishme të shihet se si ai përparon. Një gjë është të jesh në gjendje të stërvitesh dhe një tjetër të jesh në nivel për të qenë konkurrues, nuk është e njëjta gjë”.
Ramos luajti ndeshjen e tij të fundit zyrtare më 5 maj, kur Real Madrid u eliminua nga Liga e Kampionëve prej kampionit në fuqi, Chelseat.
Ndeshja mes Manchester Cityt dhe PSG-së është planifikuar të zhvillohet të mërkurën në orën 21:00. /Telegrafi/