Telegrafi

Pochettino ka planifikuar intervistën me Man Utd

Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino është planifikuar të takohet me drejtuesit e Manchester United në një intervistë për punën e trajnerit.

Klubi nga Old Trafford është në ‘gjah’ për një trajner të ri për sezonin e ardhshëm, pasi Ralf Rangnick do t’i bashkohet bordin në një rol konsulenti.

Drejtuesit e Unitedit tashmë kanë etiketuar pesë emra trajnerësh për të drejtuar ekipin dhe kanë filluar punën me intervistimin e tyre.

Unitedi intervistoi trajnerin e Ajaxit, Erik ten Hag, në fillim të kësaj jave, ndërsa tjerët do intervistohen me radhë.

Sipas mediumit Telefoot, argjentinasi Pochettino ka planifikuar të fillojë bisedimet me Unitedin për pozicionin e trajnerit dhe intervista do të ndodh së shpejti.

Ish-trajneri i Tottenham Hotspur dhe Southampton ka ende një vit në marrëveshjen e tij me PSG-në, megjithëse ai pritet të largohet këtë verë.

Djajtë e Kuq synojnë të prezantojnë trajnerin e tyre të ri deri në mes të prillit. /Telegrafi/