Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) e kanë vlerësuar si hap tejet të rëndësishëm zgjedhjen e gjyqtarëve të Panelit Ndërkombëtar, por, siç thonë ata, aktivitetet gjyqësore nga Specialja do të nisin tek atëherë kur Parlamenti i Holandës ta miratojë marrëveshjen.
Megjithatë, deri te funksionalizimi i kësaj Gjykate duhet të përmbushen edhe disa kushte, ku përfshihet plotësimi i pozitave me prokurorë, gjykatës dhe personelin mbështetës, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Avis Benes, nga zyra e Maja Kociançiç, zëdhënëses së komisionares për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, ka thënë se aktivitetet gjyqësore do të nisin tek atëherë kur Parlamenti i Holandës ta miratojë marrëveshjen.
Sipas saj, aktualisht po merren aktivitete logjistike dhe administrative, duke përfshirë këtu rekrutimin e stafit dhe një hap tejet të rëndësishëm, siç thotë ajo, tanimë paraqet zgjedhja e gjyqtarëve të Panelit Ndërkombëtar
Nga ana tjetër, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe me autoritetet holandeze, Dhomat e Specializuara tashmë janë vendosur në Hagë. /Zeri/