Gjykata e Lartë ka caktuar datën 11 mars për seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor të rekursit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianjit kundër dënimit me 1 vit burg.
Salianji ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë në datë 3 dhjetor 2024, për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe asaj të Apelit të Juridiksionit të përgjithsëm, të cilat vendosën dënimin e tij me 1 vit burg për ‘shpifje’.
Salianji po vuan momentalisht dënimin në burgun e Fierit, por asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke i quajtur politike, prandaj edhe kërkon lirinë, shkruan A2 CNN.
Salianji u dënua për dosjen ‘Babale’, ku bashkë me gazetarin Jetmir Olldashi dhe Albert Veliun e njohur si ‘Babale’ hodhën akuza ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohë, Agron Xhafajt, për trafik droge.
Agron Xhafaj pas akuzave në fjalë, në të cilat thuhej se ai ishte i dënuar në Itali për trafik droge, shkoi dhe kreu dënimin që kishte në vendin fqinj.
Por Prokuroria ngriti pretendimet se audio-përgjimi me të cilin Salianji dhe gazetari Olldashi akuzonin vëllain e Fatmir Xhafajt, ishte i pavërtetë dhe i montuar qëllimisht.