Site icon Telegrafi

Po vetëdijesohemi…

Dashtë e pa dashtë kjo shoqëri po ndryshon; njerëzit kanë filluar që të vetëdijesohen; ata po sillen përditë e më ndryshe. Pozitivisht. Mu në Kosovë. Në Prishtinë, Pejë, Gjilan, në çdo qytet dhe fshat. Ata, më në fund, pas shumë orvatjeve dhe mundimeve, pikërisht sikur studentët universitarë, siç edhe pritej, kaluan njërin prej provimeve më të vështira të pas luftës: zgjedhjet. Zgjedhjet 2013.

Në Kosovë realisht po fillon një etapë e re e jetës. Qytetarët, këta qytetarë të ndershëm, por që shumëçka u ka ardhur në majë të hundës, tani kanë vendosur që të luajnë rolin e tyre të vërtetë, të vendosin për fatin e tyre, e që në përkthim letrar do të nënkuptonte rikthimin në skenën e jetës pas një periudhe burgosjeje, amullie, paqenësie, e të tjera të këtij lloji. Sepse, qytetari është politikani, polici, vëzhguesi dhe monitoruesi i vetëm i proceseve të gjithmbarshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet këtu, si testin më të rëndësishëm drejt zhvillimit, demokracisë dhe integrimit euroatlantik.

Me sjelljet e tyre dinjitoze, të vendosur më shumë se kurrë, kosovarët treguan se përkundër sprovave të shumta me të cilat përballen, me gjithë brishtësinë e raporteve të tyre me institucionet, pa standardin e dëshiruar jetësor, i thanë po ndryshimit, i thanë mjaft keqpërdorimit, i thanë jo vazhdimit. I thanë po zgjedhjeve me nivel e kulturë, duke ofruar në këtë mënyrë mësim e leksion për të gjithë brenda dhe sinjal të qartë e të fortë edhe jashtë kufijve. Kjo e fundit është më e rëndësishmja.

Ndryshimi po vjen më fuqishëm se kurrë. Shoqëria jonë kurrë nuk e ka pranuar dhe as që e pranon lehtë. Por, s’ka kush e ndalë më. E kanë kuptuar i madh e i vogël se pa ndryshim, pa ndryshim pozitiv, pa ndryshim kualitativ, nuk mund të shkojmë përpara, drejt idealeve dhe synimeve të tejnjohura. Ndryshimi në kontekstin tonë mund të deshifrohet si nevojë e re e kohës për përshtatje, përqasje, kundrejtësim dhe përmirësim ndaj vlerave më të larta sociale, politike dhe institucionale.

Kush është ndryshimi? Këmbëngulësia e qytetarëve. Syçeltësia. Edukimi. Të rinjtë, të vjetrit. Që të gjithë janë ngritur në këmbë për ta sjellë në shesh. Janë vlerat e ndrydhura dhunshëm me vite e vite ndaj qytetarit të qetë e sabërli. Të atij qytetari që e mban gjallë këtë vend. Të atij që tani edhe do ta udhëheq. Meritueshëm!

Kjo letër le të shkojë tek secili që ka marrë pjesë në provimin e fundit. Te çdo qytetar që veten e ndjen përgjegjës për këtë tokë, për jetën tonë. Nga këtu, urime dhe përgëzime të gjithëve për gatishmërinë, vendosmërinë dhe hapat e sigurt drejt një ardhmërie më të mirë dhe afatgjatë në rrugëtimin tonë përpara.

Le të gjej rrugën kjo letër edhe përtej nesh, tek përkrahësit tanë të vërtetë. Në civilizimet e mëdha dhe të zhvilluara. Madje, le të mbërrijë edhe tek ata të cilët nuk na mbështesin. Ne kemi vendosur për të ardhmen tonë!

 

Exit mobile version