Prodhuesit gjermanë të birrës ende janë në krizë sa i përket shitjes së kësaj pije alkoolike.
Vitin e kaluar, fabrikat e birrës me një total prej 8.4 miliardë litrash shitën rreth 4.5 për qind më pak birrë se në vitin 2022, njoftoi zyra e statistikave Destatis.
Kështu, pas një rritjeje të lehtë dy vite më parë, trendi shumëvjeçar në fakt po vazhdon. Arsyet kryesore janë zhvillimi demografik në Gjermani dhe popullariteti në rritje i pijeve joalkoolike.
Shitjet e birrës në Gjermani janë ulur me më shumë se një të katërtën që nga viti 1993, shkruan washingtonpost.
Vitin e kaluar, eksportet kanë pësuar rënie prej 5.9 për qind ndërsa shitja e birrës në tregun vendas u ul me 4.2 për qind.
Shoqata e prodhuesve të birrës e ka quajtur vitin 2023 një vit të zi për industrinë gjermane të birrës.
Sipas shoqatës, fabrikat e birrës janë nën presionin e kostove të larta, më pak interes të konsumatorit dhe presionit të çmimeve nga shitësit. /Telegrafi/