Ka vijuar operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.
Operacioni i zhvilluar nga DVKM në bashkëpunim me Repartin Special “Delta”, Komisariatin e Policisë Himarë dhe Seksionin e Trafiqeve në DVP Vlorë.
Transportonin me një mjet furgon, 29 emigrantë, vihen në pranga katër persona nga Shkodra, ku tre prej të cilëve lëviznin me një automjet tjetër privat për të monitoruar rrugën, për prezencë të shërbimeve të Policisë.
Sekuestrohen dy automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe celularët e të arrestuarve.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit: F. H., 48-vjeç, M. F., 32-vjeç, B. F., 18-vjeç dhe K. Q., 36-vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Shtetasit bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasi B. F. drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për të shmangur shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. /Ora News/