Site icon Telegrafi

Po trajtohet si “akt terrorist” – detaje dhe pamje të tjera rreth ngjarjes ku peshkopi dhe besimtarët u sulmuan me thikë në një kishë në Sidnei

Policia australiane e ka shpallur akt terrorist sulmin me thikë në Sidnej, ku një peshkop dhe një prift u plagosën gjatë një shërbese në kishë të hënën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia arrestoi një djalë 16-vjeçar pas goditjes me thikë në kishën “Christ the Good Shepherd” që plagosi peshkopin Mar Mari Emmanuel dhe një prift.

Të dy pritet të mbijetojnë.

Komisionerja e Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Karen Webb tha se komentet e të dyshuarit tregonin për një motiv fetar për sulmin.

“Ne do të pretendojmë se ka një shkallë paramendimi mbi bazën se ky person ka udhëtuar në atë vend, i cili nuk është afër adresës së tij të banimit, ka shkuar me thikë dhe më pas peshkopi dhe prifti janë sulmuar”, tha Webb. “Ata janë me fat që janë gjallë”.

Adoleshenti ishte i njohur për policinë, por nuk ishte në “listën e vëzhgimit të terrorizmit”, shtoi Webb.

Sulmi vjen pas atij të së shtunës ku gjashtë persona u vranë në një qendër tregtare në Sidnei. /Telegrafi/

Exit mobile version