Nga: Oren Cass / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Në këtë epokë kaotike politike, është bërë e vështirë të mbash mend nëse njerëzit janë ende në gjendje të qeverisin veten me përgjegjësi. Në fillimin e mijëvjeçarit të tretë, Shtetet e Bashkuara arritën një borxh kombëtar nën një të tretën e produktit të brendshëm bruto dhe me një suficit normal buxhetor. Vetëm atëherë filluan problemet me konsumimin e tepruar dhe shpenzimet e pamatura.
Amerikanët vazhduan të shpenzojnë në kurriz të jetës së gjeneratës së ardhshme duke përdorur kartën e kreditit kombëtar. Deficitet vjetore të buxhetit federal dhe të tregtisë së mallrave tani tejkalojnë një trilion dollarët. Interesi mbi borxhin kombëtar tejkalon tashmë shpenzimet për mbrojtjen. Një model ekonomik i bazuar në blerjen e gjërave të lira me para të huazuara është dëshmuar të jetë një formulë për një rënie të gjerë shoqërore. Shkalla e vdekjeve në ShBA nga abuzimi me drogë tani është e krahasueshme me shkallën e vdekjeve në Rusi nga abuzimi me alkool në dekadën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Mungesa e seriozitetit në politikën amerikane bie në sy në mënyrë të dhimbshme kur krahasohet me seriozitetin e sfidave të vendit. Si demokratët ashtu edhe republikanët e shohin zgjidhjen në uljen e mëtejshme të taksave dhe në kreditë – për familjen tuaj, shtëpinë tuaj, biznesin tuaj, makinën tuaj. Donald Trump dëshiron të vendosë tarifa që dikush tjetër do t’i paguajë. Kamala Harris sugjeron faljen e borxhit dhe ofrimin e huave të reja për t’u falur ato më vonë.
Por, çfarë nëse këto fjalime të përgatitura nga konsulentët dhe të gatshme për reklamë në fakt nuk janë ato që votuesit duan? Një sondazh i ri, i publikuar nga American Compass në bashkëpunim me YouGov, sugjeron pikërisht këtë.
Përveç mesazheve të zakonshme politike, dy mijë amerikanë u pyetën se si do të ndiheshin për një politikan që është i sinqertë për hendekun që ShBA-ja ka hapur për veten dhe për punën e vështirë që do të duhet për ta mbyllur atë, duke thënë: “… Ne të gjithë e ndiejmë që Amerika është në rënie, por rënia është një zgjedhje. Rritja e shpenzimeve që nuk mund të paguajmë është njëra zgjedhje. Dhe, unë po ju ofroj një zgjedhje tjetër: të bashkohemi dhe të bëjmë sakrificat e nevojshme për të na kthyer në rrugën e duhur”.
Përgjigjja ishte mbresëlënëse, me 69 për qind të të anketuarve që thanë se do të mbështesnin më shumë një politikan të tillë, krahasuar me vetëm 22 për qind që thanë se do të ishin më pak të prirur për ta mbështetur atë. Kjo diferencë ishte më e madhe sesa për mesazhet ekonomike të testuara në sondazh, si dhe për mesazhet e tjera mbi çështje si investimet në Kinë dhe organizimi i punës që ishin testuar më parë.
Mesazhi i vetëm më popullor ishte ai që gjithashtu pranonte dështimet dhe kompromiset, duke deklaruar se “arsimi duhet të përqendrohet në përgatitjen e të rinjve për të ndërtuar jetë të mira në komunitetet e tyre. Është e mrekullueshme që disa njerëz shkojnë në kolegj, por ne duhet të ndalojmë së përqendruari të gjithë vëmendjen tonë vetëm atje”.
Megjithatë, sondazhet e tilla kanë ca kufizime. Është e mundur që njerëzit mendojnë se duhet të mbështesin një mesazh sinqeriteti dhe sakrifice, edhe nëse do të ndryshonin mendje në praktikë.
Por, ndryshimet brenda rezultatit sugjerojnë që kjo çështje meriton të merret seriozisht në konsideratë. Është domethënës fakti që jo të gjithë e pëlqyen mesazhin. Shtresa e lartë ishte dukshëm më pak entuziaste, po ashtu edhe demokratët. Duke gërmuar më thellë, janë të bardhët progresistë nga shtresat e larta dhe të mesme (me të ardhura më të larta dhe diploma universitare) ata që kishin më shumë gjasa të thoshin se mesazhi do t’i bënte më pak të prirur për të mbështetur një kandidat. Duke shkuar më tej, megjithëse në këtë pikë mostrat përbëheshin nga rreth 100 persona, janë gratë në këtë grup ato që kanë një pikëpamje negative, ndërsa burrat ishin më pozitivë.
Inkurajuese është se sinqeriteti duket të rrisë mbështetjen për politikat e ndërlidhura. Sondazhi pyeti për mbështetjen ndaj tarifave në kontekstin e një mesazhi të nacionalizmit ekonomik (“propozime për kufizimin e importeve nga vendet me paga të ulëta dhe imigrimin e punëtorëve me paga të ulëta”) dhe një mesazh të sinqeritetit dhe sakrificës (“propozime për kompromiset që populli amerikan do të bënte nëse do të pranonim sakrificën e nevojshme për të ndryshuar drejtimin e vendit”). Mbështetja u rrit me 35 pikë kur politika përshkruhej drejtpërdrejt si diçka që përfshinte kompromise dhe kosto.
Vlerësimi tipik i politikës amerikane supozon se sinqeriteti për kompromiset është për ata që dorëzohen. Flisni sinqerisht dhe kundërshtari do të fillojë me sulme të pamëshirshme, duke premtuar gjëra të pabesueshme dhe ai lehtësisht do të fitojë.
Por, çfarë nëse kjo nuk është e vërtetë? Franklin D. Roosevelt krijoi mbështetje për Luftën e Dytë Botërore përmes adresimeve në radio, duke folur për “privilegjin për të bërë çdo sakrificë të nevojshme”. John F. Kennedy u kërkoi njerëzve të “pyesin se çfarë mund të bëjnë për vendin e tyre”.
Nëse amerikanët janë në gjendje të ndiejnë thellësinë e sfidave të vendit dhe dëshirojnë një projekt kombëtar për rimëkëmbje, atëherë politika nuk duhet të jetë thjesht një garë ofertash që ofron të mira vetëm për të fituar vota. Strategjia mbizotëruese duhet të jetë serioziteti. Kundërshtarët do të detyrohen të ndjekin këtë qëllim. Ajo që nevojitet është një politikan që është i gatshëm të përpiqet për këtë. /Telegrafi/