Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e tre personave ka ndodhur në Kirsehir të Turqisë.
Akoma më tragjik e bën këtë aksident fakti se si pasojë e përplasjes së fortë humbi jetën një i ri që së bashku me familjen e tij po shkonte të merrte nusen në një tjetër qytet.
Media turke raporton se familja e Ferhat Çarboga po udhëtonte nga Bursa në Kayseri, ku edhe do të merrte vajzën me të cilën do të lidhte kurorë.
Rruga e gjatë prej 600 kilometrash bëri që ata të ndalonin për pushime herë pas here.
Në njërin prej këtyre pushimeve, makinat që udhëtonin nga Bursa u ndalën në anë të rrugës në Kirsehir, kur u përplasën fuqishëm nga një minibus që vinte nga përballë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, përveç shoferëve u plagosën edhe pesë pjesëtarë të familjes së dhëndrit dhe ai vetë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat dhe ekipet e shpëtimit, të cilët dërguan në spital të plagosurit.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, dhëndri Ferhat Çarboga, e ëma Medina dhe xhaxhai Esref Çarboga humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.
Të plagosurit e tjerë mbeten nën kujdesin e mjekëve ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Në ditën e saj më të lumtur, nusja që priste të niste jetën e re, mori lajmin e hidhur për vdekjen e atij që do të bëhej bashkëshorti i saj. /tvklan.al/