Koalicioni aktual qeverisës në Kosovë po ballafaqohet me shumë sfida. Në planin e brendshëm, me greva e pakënaqësi në rritje nëpër sektorë të ndryshëm, ku kërkesë themelore është rritja e pagave. Kurse në planin e jashtëm, sfidë mbetet çështja e tarifës doganore të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, vendim ky që nuk po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Greva në sektorin e arsimit po shihet edhe si kërcënim për jetëgjatësinë e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, është krijuar nga njerëz me ndikim në Kosovë, për të shtuar presionin mbi Qeverinë.
Kadaj-Bujupi thotë se ngritja e temave që mbijnë nga hiçi nuk është e rastësishme, të cilat sipas saj, janë zor të shpjegueshme nga mendja racionale. Përkundër të gjithë këtij presioni, ajo thotë se Qeveria Haradinaj, nuk do të lëshojë pe dhe do të vazhdojë punën.
“Është njëfarë tendence për krijimin e një konfuzioni në opinion publik, duke u munduar kështu të zbehin imazhin e Qeverisë, duke e vendosur atë në presion që të lëshojë pe ne temat e dëmshme, e kompromiset të ashtuquajtura të dhimbshme, e agjenda tjera që akterë shumë të dyshimtë në vendin tonë po i shtyjnë përpara. Mandatin e saj kjo Qeveri e ka kthyer në sukses, e sa për këto tentim-ngritjen e problemeve fiktive mund të them vetëm se: Ujku donë mjegull ose në rastin tonë gjarpri”, thotë Kadaj-Bujupi.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se këtë vit nuk pritet të ndodhë ristrukturimi i Qeverisë.
Hoxhaj thotë se këtë vit nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme.
“Qëndrimi ynë është që në vitin 2019 nuk ka as ristrukturim të Qeverisë, por nuk ka as zgjedhje të parakohshme. Ajo se çfarë mbetet është ta zbatojmë programin e Qeverisë, si Qeveri e Kosovës, dhe mbi të gjitha prioritet e kemi dialogun me Serbinë, kështu që nuk do të ketë asnjë ndryshim”, thotë Hoxhaj.
Mirëpo pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë, thonë se ristrukturimi i Qeverisë duket i pashmangshëm.
Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus, thotë se pas situatës së krijuar së fundmi në Kosovë, me presionin për heqjen e taksës dhe grevat në shumë sektorë, Qeveria Haradinaj, nuk mund të ketë jetë të gjatë.
Ai thotë se janë dy opsione që mund të përcaktojnë të ardhmen politike në Kosovë. Opsioni i parë, sipas tij, është që të kemi një riformatim të Qeverisë sa për të përfunduar dialogun, e pastaj të kemi zgjedhje të parakohshme dhe opsioni i dytë, të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe të kemi një Qeveri të re.
“Këto dy opsione unë i shoh para vetit, megjithatë nuk e di se cili opsion është më i mirë, por atë që di është që kjo Qeveri nuk mund të shkojë më tutje dhe do të duhej të ketë një marrëveshje për një koalicion më të gjerë ose ristrukturim të Qeverisë ose zgjedhje të parakohshme në një periudhë jo shumë të largët”, thotë Ismaili.
Tri partitë më të mëdha në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, ka kohë që kanë humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës, ngase aty, subjekti politik, Lista Serbe, e cila bën pjesë në Qeveri, në Kuvend ka kaluar në opozitë.
Mirëpo, kohët e fundit, krahas humbjes së shumicës në Kuvend, ky koalicion po përballet edhe me presionin e grevave dhe taksës, dy sfida këto ndër më të vështirat më të cilat është përballur deri më tani Qeveria Haradinaj. /Rel/Telegrafi/