Site icon Telegrafi

A po rritet dallimi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve?

Afro dhjetë vjet nga pavarësimi i vendit, papunësia, varfëria, cilësia e dobët e arsimit dhe shëndetësia janë vetëm disa nga problemet me të cilat qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen.

Autoritetet në vend thonë se kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve, por këta të fundit kanë ritheksuar mosbesimin ndaj institucioneve dhe mungesën e perspektivës së Kosovës.

Zyrtarisht thuhet se papunësia nga mbi 43 për qind, ka arritur të ulet deri në shkallën 27 për qind; varfëria që afro një dekadë më parë shënonte 45 për qind, sipas shifrave zyrtare ka rënë në 18 për qind, derisa varfëria ekstreme nga 15 për qind, thuhet të ketë rënë në 5.2 për qind.

Këto shifra, sipas ekspertëve të fushës, e radhitin Kosovën si një nga vendet me zhvillim më të ulët ekonomik dhe me standard të ulët jetësor të qytetarëve në përgjithësi.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë flasin për një varg problemesh. Ata thonë se janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik dhe social në të cilën po shkon vendi.

Pakënaqësi të ngjashme të qytetarëve të Kosovës ishin paraqitur edhe në raporte të shumta të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.

Shyqri Hasani një qytetar nga Prishtina, thotë se mosfunksionimi i shtetit gati në të gjitha aspektet, si në fushën ekonomike dhe atë të edukimit, ka bërë që qytetarët të përballen me probleme të shumta.

“Nëse Kosova po tenton të integrohet në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të punohet në përmirësimin e kushteve. Ne nuk kemi arritur t’i përmirësojnë as gjërat elementare të qytetarëve të vendit. Standardi jetësor është i ulët. Por, me punë më të efektshme të Qeverisë duhet të arrihet t’i përafrohemi standardeve të vendeve të BE-së”, thekson Hasani.

Problemi më thelbësor për Avdyl Mirenën, qytetar nga qyteti i Obiliqit, mbetet niveli i ulët i cilësisë në arsim. Ai thotë se shqetësimet e mëdha janë edhe tek gjetja e një vendi pune.

“Ka probleme të shumta, nuk ka perspektivë në këtë vend. Pavarësisht se ne diplomohemi në një fakultet nuk arrijmë të gjejmë punë dhe kjo të bënë edhe më të vështirë jetën”, thotë Mirena.

Kosova dy vjet më parë u përball me valën më të rëndë të ikjes të qytetarëve të saj drejt shteteve të BE-së në mungesë të, siç u tha, ‘perspektivës në vend’. Mijëra njerëz përshkuan rrugën nga Kosova përmes Serbisë, drejt Hungarisë si shteti i parë në kufirin e BE-së.

Gjendja jo e kënaqshme e qytetarëve të Kosovës, për sociologun Fadil Maloku është shqetësuese meqë, siç thotë, “problemet sociale dhe ekonomike në Kosovë janë probleme që vazhdimisht po thellohen duke u krijuar një distancë klase midis shumë të pasurve dhe të varfërve”.

“Kjo mund të prodhojë situatë të pakëndshme acaruese. Por, që këto situata nuk shprehen, pasi që elita politike në mënyrë sistematike po ju japin infuzion qytetarëve duke shpërqendruar vëmendjen me problemet tjera krejt periferike që nuk i përkasin atyre, siç janë problemet politike”, thekson Maloku.

Në anën tjetër, psikologu Besnik Peci konsideron se pakënaqësitë qytetare reflektojnë gjendjen reale në të cilën po kalon Kosova. Varfëria shton ai, është njëri nga faktorët më thelbësor që është duke bërë presion të madh në gjendjen psiko-sociale të qytetarëve.

“Humbja e perspektivës paraqet elemente serioze të një ankthi gjeneral që i ka kapluar qytetarët. Në këtë kontekst, institucionet duhet të marrin masa që të ndihmojnë qytetarët të mos bien pre e pasojave negative që sjellin këto situata të palakmueshme që i kemi në vend. Numri i madh i divorceve në Kosovë, përdorimi i madh i substancave që ndikojnë në psikikën e njerëzve, janë tregues të qartë të gjendjes jo të mirë që kemi në shoqëri”, thekson Peci.

Të gjitha këto elemente, thekson psikologu Peci duhet të paraqesin alarm për institucionet e Kosovës që të parandalojnë pasojat që vijnë nga këto probleme sociale.

Kosova brenda vitesh, thuhet nga ekspertë të fushës, nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, për shkak të nivelit të ulët të investimeve të huaja, politikave jo të mira fiskale si dhe nivelit të lartë të korrupsionit. Problemet politike megjithatë kanë mbizotëruar në vend dhe, njohës të rrethanave thonë se ato e kanë ‘frenuar’ edhe një zhvillim më të mbarë ekonomik në vend. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version