Ushqim të shijshëm, kulturë të pasur dhe argëtim pa fund. Secilën nga këto do të mund t’i përjetoni në edicionin e dytë të Prishtina Gastronomy Festival.
Ky festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë mbarë shqiptare, duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. Në Prishtina Gastronomy Festival ju do të shijoni shumëllojshmëri të kulturave nga të gjitha trojet shqiptare.
Festivali ofron një gamë të gjerë mundësish për bizneset, familjet, njerëzit e të gjitha moshave por edhe iniciativat jo-fitimprurëse që kanë të bëjnë me ushqimin që të ndajnë produktet, shërbimet dhe programet e tyre.
Në secilën ditë, festivalit nuk do t’i mungojë shija e veçantë e ushqimeve dhe performancat madhështore të muzikantëve. Festivali vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar, me secilën pjatë që ka një histori për të treguar. E përveç atyre vendore, nuk do të mungojnë as pjatat speciale nga kuzhinierë ndërkombëtarë.
Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.
“Bukë e kripë e zemërbardhë”, mbetet slogani që do të karakterizoj festivalin përgjatë dhjetë ditëve.
Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data22 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00 deri në 23:00.