Në RTV Dukagjini është diskutuar mes penalistëve për grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës të cilët po protestojnë tash e tre muaj. Paga e punëtorëve teknik në Kuvend është 275 euro.
Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se si organizatë kanë mbajtur protestë mbështetëse ndaj punëtorëve teknik për kushte më të mira financiare dhe dinjitet.
Ajo ka thënë se kanë biseduar me grevistet lidhur me kushtet dhe kërkesën e tyre dhe adresimin që e kanë bërë.
Sijarina ka thënë se atyre u është bërë “një trajtim çnjerëzor”.
“Për shkak se ato gra nuk janë duke artikulu vetëm pagën e mjerueshme e cila ju bëhet atyre, por janë duke e trajtu edhe kushtet e mjerueshme në të cilat ato punojnë”.
“Gjatë këtyre viteve ato kanë punuar edhe kur kanë qenë smut, nuk iu është paguar trusti pensional me muaj të tanë dhe nëse ato kanë lyp të drejtat e tyre janë kërcënua që të largohen prej pune gjë që po ju ndodh edhe tani”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se për nëntë javë nuk ka pasur deklarime publike nga Kuvendi i Kosovës.
Tutje Sijarina ka thënë se grave greviste pas dy ditësh ju skadon kontrata dhe se ato mund të mos kthehen në Kuvend si greviste sepse “mund të mbesin pa kontratë”.
Sijarina ka treguar se edhe gjatë ditë së sotshme ka biseduar me gratë greviste, por nuk kanë marr asnjë vendim nga Kuvendi ende.
“Nuk e dinë çfarë do të ndodh me fatin e tyre, pra janë në një pasiguri të thellë”, ka thënë ajo.
Pavarësisht se tani me ligj është rrit rroga minimale, atyre nuk u është rritur paga.
“Brenda këtij Kuvendi i cili nxjerr legjislacione të cilat u shkojnë për shtat vet kuvendarëve, ndodhin padrejtësitë më të mëdha ndaj punëtorëve”, ka thënë Sijarina.