Një student i kolegjit i cili mbijetoi kolapsin e urës në Miami të Floridas pranë kampusit të Universitetit Ndërkombëtar të Floridës ka folur për të kujtuar momentin kur struktura ra dhe e shtypi automjetin në të cilin ai gjendej.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Richie Humble, një student, i cili thotë se ishte duke u vozitur nga një shoqe e tij, Alexa Duran, derisa po kthehej nga një kontroll tek mjeku, kur struktura ra.
“Ne ishim parkuar duke pritur dritën e kuqe dhe fillova të dëgjoj zërin e urës, kështu që unë vetëm shikoja urën që po binte mbi ne”.
“Ajo ra në pjesën e sipërme të makinës dhe sikurse po më shtypte qafën. Por në fakt nuk e dija se çfarë saktësisht po ndodhte”.
Humble thotë se vëmendja e tij pastaj shkoi tek shoqja e tij.
“Thirrja emrin e saj pa pushim, por nuk dëgjoja asgjë”, tha ai.
Kur Humble doli nga Toyota ai mund të shihte se pjesa e shoferit pësoi më shumë dëme sesa ana e tij.
Alexa Duran, një e sapodiplomuar e shkencave politike, është ende e pagjetur.
Video nga vendi i ngjarjes tregon Humble duke i thënë nënës së tij, në telefon: ‘Mami, ura ra mbi ne!’ /Telegrafi/