Telegrafi

Po peshkonte në liqenin e Fierzës, 50-vjeçarit i shpërthen dinamiti në dorë dhe vdes në vend

Foto ilustruese

Një 50-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasditen e kësaj të diele në fshatin Apripe Guri, Fushë Arrëz, pas shpërthimit të një sasie lënde plasëse, me të cilën ishte duke peshkuar në liqenin e Fierzës.

Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, ndërsa paraprakisht dyshohet se ka ndodhur nga pakujdesia e viktimës.

“Fushë Arrëz, Pukë/Informacion paraprak: Më datë 26.03.2023, rreth orës 18:20, në fshatin Apripe Guri, Fushë Arrëz, shtetasi P. J., 50 vjeç, banues në fshatin Apripe Guri, Fushë Arrëz, dyshohet se ka humbur jetën nga shpërthimi i lëndës plasëse me të cilën ai po peshkonte në liqenin e Fierzës. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.”, njofton Policia në lidhje me ngjarjen./A2 CNN