Ministri serb i Financave Sinisha Mali ka thënë mëngjesin e sotëm se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u ka dërguar letra të gjithë liderëve në Evropë lidhur me paralajmërimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali për televizionin serb Happy, duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që ky pranim [i Kosovës] të mos ndodhë.
Sipas tij, Serbia është nën presion që, siç vlerësoi ai, “nuk ka qenë kurrë më i madh”, shkruan “Danas“.
“Vuçiq u shkroi liderëve evropianë për Kosovën, por “edhe për Bosnjen e Hercegovinën dhe Srebrenicën nuk ka qenë kurrë më i shqetësuar”, është titulli i portalit të Sarajevës Klix.ba.
“Ai theksoi se në të gjitha dekadat që janë njohur nuk e ka parë Vuçiqin më të shqetësuar dhe ka thënë se presionet janë shkaktuar nga problemet në rajon, gjegjësisht Bosnje-Hercegovinë, pastaj situatën në Kosovë, çështja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tregoi se po ashtu kërcënohet miratimi i rezolutës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë”, transmeton Klix në deklaratën e Sinisha Mali, transmeton Telegrafi.
“PO PËRJETON PRESION NGA TË GJITHA ANËT: Vuçiq u ka shkruar të gjithë liderëve në Evropë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan Slobodna Bosna.
Ministri i Financave të Serbisë, Sinisha Mali, ka thënë se letra i është drejtuar, ndër të tjera, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron dhe se kjo tregon se Serbia nuk do të dorëzohet, transmeton Slobodna Bosna.
Gazeta Oslobodjenje e Sarajevës shkruan se “Vuçiq u ka shkruar liderëve evropianë për Kosovën, kolegët e tij thonë se nuk e kanë parë kurrë më të shqetësuar për BeH-në”.
“Janë presione serioze dhe pikërisht për këtë them, nuk e kam parë më të shqetësuar. Sigurisht, ne do të bëjmë çmos për të gjetur një zgjidhje”, tha Mali, transmeton Oslobodjenje.
Edhe RTRS raporton se Vuçiq u ka shkruar të gjithë liderëve në Evropë për shkak të Kosovës.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha mbrëmë, pas një takimi me lidershipin e Republikës Srpska, se Serbia do të luftojë deri në momentin e fundit kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe projekt-rezolutës për Srebrenicën”, shkruan ndër të tjera RTRS.
BHRT ndër të tjera shkruan se Vuçiq, siç theksoi Mali, mbron politikën e paqes, duke theksuar se është e rëndësishme të bëhet një kompromis, por edhe të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“Ai e konsideron si nder të madh që lideri më i madh në botë, presidenti kinez Xi Jinping, po vjen në Evropë, ku do të vizitojë tre shtete, njëra prej të cilave është Serbia”, raporton BHRT. /Telegrafi/