Site icon Telegrafi

“Po mbyllja sytë për t’u lutur dhe ula kokën,…”: Muezini rrëfen momentin e tmerrshëm, kur u sulmua me thikë në një xhami në Londër

Një udhëheqës mysliman që ishte goditur me thikë brenda xhamisë së Regent’s Park në Londër sot tha se ai ishte me fat që të mbijetonte dhe u zotua: “Asgjë nuk do të më ndalojë të lutem”.

Raafat Maglad, 70 vjeç, një muze që drejton thirrjen për lutje, u qëllua me thikë në qafë në Xhaminë Qendrore të Londrës gjatë lutjeve rreth orës 03:00 të ditës së enjte.

Pas kësaj, siç raportojnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, rreth 20 xhematlinjë nxituan të ndalonin sulmuesin, derisa të mbërrinte policia dhe shërbimet e urgjencës.

Një i dyshuar, 29 vjeç, sot po merret në pyetje, me dyshime për tentativë vrasjeje.

E Maglad, një baba i tre fëmijëve që drejton thirrjen për lutje pesë herë në ditë, u dërgua me shpejtësi në spital, por për fat të mirë është liruar sot në mëngjes.

“Unë po mbyllja sytë për t’u lutur dhe ula kokën. Ishte sikur dikush të më godiste me tulla. Ishte e tmerrshme, kishte aq shumë gjak. Vura dorën lart dhe u përpoqa ta mbyllja prerjen”.

“Të gjithë e ndaluan dhe e thirrën ambulancën. Ndihem me fat”.

Duke treguar shpatullat, z. Maglad shtoi: “Kjo ndikoi në nervin tim. Mjekët më kanë thënë që kam nevojë për një skanim për të parë sa dëm është shkaktuar, por nuk mund të lëviz krahun tim të djathtë. Kam gjashtë qepje në qafë. Unë u thashë mjekëve që nuk dua të qëndroja në spital, kështu që u kërkova që të më lëshonin më herët. Doja të isha në shtëpi”.

“Do të doja të falënderoja të gjithë ata që ndihmuan. Mbrëmë dhoma e urgjencës ishte përplot me aq shumë njerëz që më mbështetnin. Ishte bukur. Ky sulm nuk do të ndryshojë sjelljen time. Asgjë nuk do të më ndalojë të lutem dhe unë do të kthehem duke thirrur ezanin sa më shpejt që të mundem. Më duhet të zbuloj nëse më duhet më parë ndonjë intervenim kirurgjik”. /Telegrafi/

Exit mobile version