Telegrafi

Po mbyllen fermat

Qumështi vendor vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha për shkak të konkurrencës nga prodhimet e vendeve të huaja, që janë në masë të madhe në tregun e vendit tonë. Prodhuesit e qumështit në Kosovë kërkojnë mbështetje nga qeveria, të cilën nuk po e marrin në asnjë mënyrë. Ata kërkojnë heqjen e TVSH-së për këtë produkt, që, sipas tyre, kjo po u sjell dëme të mëdha duke ardhur deri të mbyllja e fermave.

Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit në Kosovë, tha mbetet TVSH-ja, të cilën kryeministri e kishte premtuar ta hiqte qysh para dy viteve, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. “Ne kemi kërkuar edhe përshkallëzimin e TVSH për produktet finale të qumështit, e cila do të lehtësonte prodhimin dhe përpunimin e qumështit. Pastaj kemi kërkuar subvencionimin për qumështin e freskët për 5 centë”.

Qeveria e Kosovës në anën tjetër premton se shumë shpjet do të merr vendimin për heqjen e TVSH-së për këto produkte.

Ministri i Bujqësisë në largim Blerand Stavileci, tha se kanë bërë propozim për krijimin e kushteve më të lehta për prodhuesit e qumështit. “Besojmë se me formimin e qeverisë së re do të hyjë në fuqi vendimi që lidhet me përshkallëzimin e TVSH-së dhe reduktimin e saj për disa mallra dhe produkte deri në 9 për qind, në të cilat bën pjesë edhe qumështi”, tha Stavileci.

 Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë një viti shpenzohen rreth 13 milionë euro për importin e qumështit. Këto të dhëna tregojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar janë importuar rreth 23 milionë litra qumësht. Premtimin për heqjen e TVSH-së për prodhuesit e qumështit gjatë vitit 2009 e pat bërë kryeministri i vendit. /Express/Telegrafi/