Site icon Telegrafi

A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

Pak javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës (KiE) e cila pritet të mbahet këtë muaj, Gjermania dhe Franca kanë shpreh qëndrim të hapur se Kosova duhet të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të anëtarësohet KiE.

E, për këtë qëndrim të dy shteteve mike të Kosovës, Albana Rexha nga Demokraci Plus thotë se anëtarësimi i Kosovës nuk duhet të ndërlidhet me asnjë kërkesë shtesë për Kosovën, e aq më pak me themelimin e Asociacionit.

Rexha theksoi se nuk mendon që shtetet mike të Kosovës të cilat janë të dijeni të respektimit të të drejtave të pakicës do të kushtëzojnë Kosovën me themelimin e Asociacionit.

 

Albana Rexha, Demokraci Plus

Ajo po ashtu vlerëson se është lajm shumë i mirë për Kosovën dhe fuqitë perëndimore, që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Lexo po ashtu Scholz – Kurtit: Duhen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të anëtarësimit në KiE

“Vlerësoj që anëtarësimi i Kosovës nuk duhet të ndërlidhet me asnjë kërkesë shtesë për Kosovën, e aq më pak me themelimin e Asociacionit, e cila ishte kërkesë e Serbisë gjatë procesit deri tash. Nuk mendoj se shtetet mike të Kosovës, të cilat janë në dijeni të suksesit të Kosovës sa i përket respektimit të të drejtave të pakicës si dhe sistemit demokratik të qeverisjes do të kushtëzojnë Kosovën me themelim të Asociacionit.

Në anën tjetër, progresi në këto drejtime duhet të përgëzohet dhe të mbështetet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, i cili poashtu në kornizë afatgjate do të forcojë edhe më tej mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë”, vlerësoi Rexha.

Lexo po ashtu Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Ndërsa, analisti tjetri Emir Abrashi tha për Telegrafin se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një obligim ndërkombëtar i Kosovës, të cilin e ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës.

Ai tha se pavarësisht se Serbia vazhdon të mos i implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, Kosovës vazhdimisht po i dalin probleme rrugës me mos-implementimin e marrëveshjeve – pikërisht për shkak të tejzgjatjes së procesit të dialogut.

Emir Abrashi, hulumtues i politikës së jashtme

“Tanimë kur Kosova është më afër se kurrë anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e sidomos kur kemi parasysh që ky është njëri nga institucionet më të rëndësishme ku Kosova ka arritur të futet në agjendën e anëtarësimit, atëherë institucionet e Kosovës nuk duhet të luajnë bixhoz me këtë temë dhe ta humbasin edhe këtë momentum, duke e rrezikuar të gjithë procesin”, tha Abrashi.

Tutje ai potencoi se Qeveria e Kosovës ka dhënë zotime se do ta themelojë Asociacionin pas anëtarësimit në KiE, prandaj siç tha ai “edhe kur kemi sinjale për bllokim nga dy shtetet më të mëdha e më të fuqishme evropiane – Gjermania dhe Franca – të cilat janë edhe aleate të Kosovës, atëherë institucionet e vendit duhet që me shumë seriozitet ta trajtojnë modalitetin e gjetjes së një zgjidhjeje të ndërmjetme. Ajo minimalisht nënkupton që do të mund të ishte fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit, përderisa finalizimi do të mund të bëhej pas anëtarësimit me të drejta të plota në KiE”.

Lexo po ashtu Kosova pranë anëtarësimit në KiE, Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma

Hulumtuesi i politikës së jashtme tha se në të në të kaluarën Kosova humbur jashtëzakonisht shumë momentume “dhe tanimë durimi i të gjithëve po venitet”.

“Institucionet e Kosovës duhet të tregohen partner serioz e i besueshëm, nëse dëshirojnë që të shënojnë sukses në procesin e anëtarësimit në KiE dhe në organizata të tjera në të ardhmen”, tha ndër të tjera Abrashi.

Ndërkaq, një ditë më parë hartuesja e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.

Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version