Telegrafi

Po kontrollonte llogarinë bankare, habitet kur sheh se i kishte 200 milionë euro – ato i qëndruan në llogari për vetëm dy orë

Irlandezi Kevin Conway mbeti i habitur kur pa se në llogarinë e tij bankare figuronte një shumë marramendëse e parave prej 200 milionë eurove.

Me telefon mobil në dorë po kontrollonte gjendjen e tij bankare, por u habit kur pa shifrën prej 197.245.088 euro, transmeton Telegrafi.

Për t’u bindur se nuk e kishte gabim e hapi disa herë aplikacionin, por sërish shfaqej e njëjta shumë e parave – edhe pse ai mendonte se bëhej fjalë për 200 euro.

“Gjatë javës së kaluar po kontrolloja në telefon gjendjen bankare kur pashë 197 milionë dollarë. Megjithatë ajo shumë e parave befasisht u zhduk. Nuk e dija çfarë të bëjë. Thjesht mbeta i habitur, sepse për dy orë isha më i pasur për 200 milionë euro”, ka deklaruar Conway.

Megjithatë disa orë më vonë e kuptoi se bëhej fjalë për një gabim teknik. Zëdhënësi i kompanisë që ka në pronësi edhe aplikacionin me të cilin ka kontrolluar gjendjen financiare, ka pranuar se bëhej fjalë për një gabim që është përmirësuar për pak kohë. /Telegrafi/