Telegrafi

A po keqpërdoret transporti publik për qëllime partiake? (Video)

Sa e paguajnë partitë politike Ndërmarrjen Publike të Qarkullimit – Shkup për transportimin e aktivistëve dhe mbështetësve në mitingjet partiake? Në tubimin e fundit të forumit të grave të OBRM-PDUKM-së në sallën Boris Trajkovski, kamera e TV 21 inçizoi rreth 20 autobusë të NPQ-së, të cilët bartën qytetarë prej komunave të ndryshme të Shkupit. Nga Ndërmarrja Publike e Qarkullimit – Shkup, thonë se çmimet për dhënien në shfrytëzim të autobusëve janë caktuar në mënyrë strikte me Vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, por nuk zbuluan se sa para paguajnë për një autobus.

Grafikë: NPQ

„NPQ-SHKUP jep me qira autobusë për çfarëdo feste të personave fizikë dhe ofron transport të organizuar për konferenca të ndryshme, evenimente, mitingje etj. Çmimet për qiradhënie të autobusëve janë të caktuar në mënyrë strikte me Vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, me çka ndërmarrja tërësisht i praktikon për cilindo subjekt, përmes lidhjes së Marrëveshjes”.

As nga Qyteti i Shkupit nuk e zbuluan çmimin e qiradhënies për një autobus për qëllime partiake. Thonë se këtë e cakton Ndërmarrja Publike e Qarkullimit – Shkup.

Grafikë: Qyteti i Shkupit

„Për këtë pyetje do të kërkoni përgjigje nga Ndërmarrja Publike e Qarkullimit – Shkup”.

Këtë javë, transporti i forumit të grave të OBRM-PDUKM-së u bë me autobus të NPQ, por nga kjo parti nuk deshën të komentojnë për shumën që ia paguajnë kësaj ndërmarrjeje për transport. /Telegrafi/