Kreditë e shpejta janë shndërruar në mjet të lehtë për përfitim nga mashtruesit, e nga ana tjetër mankth për disa qytetarë të pafajshëm, të cilëve po u keqpërdoren të dhënat personale për marrjen e kredive. Këto kredi të shpejta akordohen me vetëm një “alo” në telefon, apo edhe përmes postës elektronike. Avokati i Popullit Naser Ziberi, tregoi një rast ku në emër të një personi me paralizë celebrale, janë ngritur madje pesë kredi të shpejta.
“Ndodh shpesh herë që paratë të mos merren nga personi që ka aplikuar sepse në atë rast do të vërtetohet identiteti por lëshohen nëpër operatorë ekonomik dhe merren pastaj pajisje shtëpiake dhe mjete të tjera dhe krejt këto janë keqpërdorime të këtyre kredive. Apeli jonë në të ardhmen është që të shtohen kontrollet nga Ministria e Financave. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave thotë se në të gjitha parashtresat që ne i kemi marë, ata kanë bërë kontrolle dhe për fat të keq janë konstatuar shkelje të rënda dhe në pesë shoqëri janë shqiptuar gjoba adekuate.”- deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
E çfarë autoritetet qeveritare duhet të ndërmarrin në këto raste? Branimir Jovanoviq, ekspert i ekonomisë, shprehet se më e rëndësishmja është që Ministria e Financave t’i ndëshkojë ata që bëjnë shkelje të tilla por edhe të ketë kujdes se kujt i jep licencë për punë si shoqëri bankare.
“Ajo që për mua është më e rëndësishme të bëhet e që deri tani nuk e kishim, është që të dënohen ata që kanë kryer këto gjëra. Ata janë njerëzit, persona fizik, jo shoqatat financiare, ata ndoshta mund të jenë pjesëmarrës. Por duhet të dënohen ata që kanë bërë këto mashtrime. Dhe për këtë duhet të ndërmerret qasje më e ashpër ndaj shoqërive financiare, me kritere më të rrepta se kush mund të hapë, kush mund të mer licencë, mënyrën se si mund të punojnë dhe ngjashëm.”- tha Branimir Jovanoviq, Ekonomist.
Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se nga janari e deri në korrik të këtij viti, janë denoncuar gjithsej 65 raste të keqpërdorimit të të dhënave personale, të dhëna këto në rritje në krahasim me vitin 2022 kur gjatë tërë vitit kishte 43 raste të tilla.
“Në vitin 2022 janë evidentuar 43 raste të keqpërdorimit të të dhënave personale, mashtrime me kredi të shpejta. Në periudhën janar-korrik 2023, janë denoncuar 65 raste, për të cilat pas aktiviteteve të ndërmarra, janë ngritur nëntë denoncime penale dhe tridhjetë njoftime me shkrim, e në korniza të rasteve të realizuara, penalisht janë denoncuar 15 kryerës.”- thanë nga MPB-ja.
Përndryshe MPB vazhdimisht ka apeluar deri te qytetarët që të kenë kujdes kur japin të dhënat e tyre personale sepse mund të keqpërdoren. Gjithashtu ekspertët e fushës apelojnë që qytetarët të kenë kujdes kur marrin kredi të shpejta sepse mund të arrijnë në një situatë që vështirë mund të dalin.