Telegrafi

​“Po fol për hajni e vetë je plagjiator”, përplasje e akuza mes Bashës e Kastratit

Me akuza dhe përplasje të ashpra është zhvilluar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, mes deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit dhe atij të LVV-së, Dimal Basha.

Në interpelancën ndaj ministrit Hekuran Murati, deputeti i PDK-së adresoi akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

E për të iu kundërpërgjigjur, Basha i LVV-së e quajti Kastratin plagjiator, duke thënë se ai vjedh shkronja dhe ide të të tjerëve e del e flet për mësimdhënësit.

“Del Ardian Kastrati flet për mësimdhënësit a vetë është plagjiator. Shkronja vjedh tipi, ia merr të tjerëve e i shet si të vetat. Kur vjedh shkronja, paramendo çka bën me ia lënë kuletën atij”, tha Basha.

Kastrati reagoi menjëherë duke i thënë Bashës “qoban” e “klloshar”.

“Ku e ke amebën, sa dinë gjyshet e mija për plagjiaturë aq di ti. Qoban, klloshar…”, ishin fjalët e Kastratit për Bashën pas fjalimit të tij.

Me këtë rast, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30. /Telegrafi/