Telegrafi

Po festonin një ditëlindje, katër të vdekur pasi varka me turistë u përmbys nga një stuhi e papritur në Itali

Katër persona kanë humbur jetën pasi një varkë turistike u përmbys në një stuhi në liqenin Maggiore të Italisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ngjarja ndodhi derisa disa persona po festonin një ditëlindje në anijen 16 metra të gjatë në rajonin e Lombardisë të dielën.

Ndërkohë bëhet e ditur se të paktën 19 të mbijetuar arritën të notojnë në breg pa lëndime serioze, tha brigada e zjarrfikësve në Twitter.

Zjarrfikësit italianë thanë se në bord ndodheshin 25 persona, duke shtuar se “rrënojat” u gjetën nga zhytësit e saj në një thellësi prej 16 metrash.

Dy persona u dërguan me urgjencë në spital në gjendje ‘mesatarisht kritike’, tre u dërguan në gjendje ‘jo shumë kritike’ dhe 15 u trajtuan në vendngjarje dhe nuk kishin nevojë për trajtim të mëtejshëm.

Alarmi u ngrit pasi pasagjerët në një varkë aty pranë panë njerëz në ujë, raporton La Repubblica.

Liqeni Maggiore është liqeni i dytë më i madh në Itali dhe një destinacion popullor për turistët. /Telegrafi/