Site icon Telegrafi

Po bie fuqia e kërcënimeve bërthamore të Rusisë

Ilustrimi: Ann Kiernan / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Rusia edhe një herë po luan me armët e veta bërthamore. Javën e kaluar, Vladimir Putini paralajmëroi vendet e NATO-s që të mos e lejojnë Ukrainën që të përdor municionet perëndimore për të goditur Rusinë. Udhëheqësi rus paralajmëroi për “pasoja serioze” dhe tha se aleatët e Ukrainës duhet të jenë të vetëdijshëm për “territorin e vogël” dhe “popullsinë e dendur” të shumë vendeve evropiane.

Në rast se kjo ishte shumë e paqartë, Dmitry Medvedev vazhdoi me kërcënimin më të frikshëm. Ish-presidenti i Rusisë i citoi fjalët e Putinit dhe shtoi: “Përdorimi i armëve taktike bërthamore gjithashtu mund të jetë llogari e gabuar. Do të ishte gabim fatal”.

Medvedevi ka reputacionin e njeriut që është i dhënë pas pijeve të forta. Por, kohët e fundit Moska gjithashtu ka ndërmarrë veprimet për të nënvizuar kërcënimet e veta, me trupat ruse që po kryejnë stërvitjet bërthamore pranë kufirit me Ukrainën.

Këto lëvizje nuk i kanë penguar disa vende të NATO-s, përfshirë ShBA-në, nga ndërmarrja e hapit të fundit në nivelin e përshkallëzimit – duke miratuar përdorimin e armëve të tyre brenda kufijve rusë.

Kjo lëvizje e fundit e vendeve të NATO-s, pasqyron një përzierje të besimit dhe nervozizmit. Në aspektin pozitiv, ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë tani janë më pak të shqetësuar, se 18 muaj më parë, për kërcënimin nëse Rusia do të përdor armët bërthamore.

Nga ana negative, ata gjithashtu janë gjithnjë e më të shqetësuar për situatën në fushëbetejë. Gatishmëria e re për të lejuar Ukrainën që të sulmojë pozicionet e artilerisë armike dhe bazat e raketave – edhe nëse ato janë brenda vetë Rusisë – pasqyron brengën se Ukraina gradualisht po e humb luftën. Si rezultat, mbështetësit perëndimorë të Kievit ndihen të detyruar të tolerojnë një nivel më të madh rreziku, për ta mbajtur Ukrainën në luftë.

Gatishmëria e Perëndimit për të marrë përsipër këtë nivel rreziku, përfaqëson një ndryshim dramatik në mënyrën e të menduarit – që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt të vitit 2022. Në atë kohë, vendet e NATO-s ishin nevrike për t’ia dhënë Ukrainës çdo armë sulmuese.

Sigurimi i çdo aftësie të re të rëndësishme për Kievin – raketa me rreze të gjatë veprimi, tanke, aeroplanë luftarakë – është shoqëruar me debat të zgjatur, ndonjëherë të acaruar në Perëndim, si dhe me kërcënimet bërthamore nga Rusia. Por, sa herë që vendet e NATO-s kanë kapërcyer një prag, Kremlini nuk ka arritur të përfitojë nga kërcënimet bërthamore. Dhe, kjo ia lehtësoi aleancës perëndimore kalimin te hapi tjetër.

Por, fakti që ShBA-ja dhe aleatët e saj nuk janë më aq të shqetësuar për qëndrimin bërthamor të Rusisë, kjo nuk do të thotë se ata e hedhin krejtësisht poshtë këtë kërcënim. Në të vërtetë, ka disa zyrtarë perëndimorë që vazhdojnë të jenë shumë të shqetësuar për potencialin e përshkallëzimit – të përfshirë përmes autorizimit të përdorimit të armëve të ofruara nga Perëndimi, për të goditur territorin rus.

Shqetësimi i tyre është se Rusia do ta konsiderojë këtë hap të fundit si përshkallëzim të një lufte përmes një pale tjetër nga Perëndimi [proxy war] dhe mund ta bëjë atë që e konsideron si përgjigje simetrike – duke përfshirë kundërsulmet në territorin e NATO-s. Kjo mund të çojë Rusinë dhe NATO-n shumë afër konfliktit të drejtpërdrejtë të cilët perëndimorët gjithmonë kanë kërkuar të shmangin. Besohet se doktrina ushtarake ruse supozon se Moska nuk mund të mbizotërojë luftën konvencionale me Perëndimin, prandaj kështu e parashikon përdorimin e hershëm të armëve bërthamore.

Pavarësisht bisedave nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron – për vendosjen eventuale të trupave franceze në tokën ukrainase – aleanca perëndimore ende po përpiqet të ruajë vijën e saj të qartë të kuqe kundër përfshirjes së drejtpërdrejtë në një konflikt me Rusinë.

Kur Irani kohët e fundit lëshoi një breshëri raketash mbi Izraelin, ShBA-ja dhe aleatët e saj u përfshinë drejtpërdrejt në rrëzimin e tyre. Ukraina nuk ka marrë mbështetje të tillë kundër sulmeve të raketave ruse në qytete dhe në infrastrukturë – pjesërisht për shkak të rrezikut se forcat ajrore perëndimore do të përfundojnë duke qëlluar drejtpërdrejt mbi forcat ruse.

Edhe tash ShBA-ja ka vendosur kufizime të rëndësishme për atë se sa larg mund të shkojë Ukraina për t’iu kundërpërgjigjur forcave ruse – me armët e ofruara nga ShBA-ja. Politika e re është se Ukraina është e lirë të godasë forcat ruse që qëllojnë në Ukrainë nga përtej kufirit. Por, nuk lejohen sulmet ndaj objektivave që janë thellë brenda territorit rus.

Pavarësisht shqetësimeve për reagimin e mundshëm të Rusisë ndaj kësaj lëvizjeje të fundit, vendimmarrësit amerikanë ende mendojnë se janë të largëta rrethanat që mund të shkaktojnë reagimin bërthamor. Dy situatat që përmenden më shpesh janë nëse ushtria ruse do të mposhtet në fushën e betejës; ose, nëse forcat tokësore ukrainase kërcënojnë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi zyrtarisht në vitin 2014.

Deri tash, kriza vërtet më e afërt bërthamore, tek e cila bota kishte arritur, ishte tetori 2022 kur Rusia pësoi një sërë pengesash shkatërrimtare në luftë, duke përfshirë humbjen e Hersonit. Ishte një fundjavë kur zyrtarët perëndimorë seriozisht u shqetësuan nëse Rusia mund të jetë në pikën e sulmit bërthamor.

Por, ajo krizë gjithashtu krijoi një manual të ri për mënyrën se si duhet marrë me kërcënimet bërthamore ruse, kur ato vërtet duken serioze. Hapi i parë është të bisedohet me homologët rusë dhe të kërcënohet me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe masive të Perëndimit në konflikt. Hapi i dytë është të bisedosh me fuqitë e tjera të mëdha – në veçanti me Kinën dhe me Indinë – dhe t’i detyroni të paralajmërojnë Rusinë, mundësisht në mënyrë publike.

Për momentin, ky manual është kthyer në sirtarin e tavolinës. Por, mund të vihet edhe një herë në veprim përpara se lufta në Ukrainë të përfundojë – në një mënyrë apo tjetër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version