Site icon Telegrafi

A po armatoset Ukraina vetëm për t’i dëbuar rusët apo për ta goditur pastaj Rusinë?

Ilustrim

Nga: Adam Tooze, profesor i Historisë në Universitetin e Kolumbias / The Guardian
Titulli origjinal: A është pjesë e strategjisë së ShBA-së, eskalimi i situatës në Ukrainë
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në pranverën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Uashingtoni duket i përhumbur nga fantazmat e historisë. Kongresi i ShBA-së ka miratuar Aktin e vitit 2022 të Huadhënies për Mbrojtjen e Demokracisë së Ukrainës, për të përshpejtuar ndihmën për Ukrainën – ashtu siç bëri Franklin D Roosevelt (FDR) për Perandorinë Britanike, për Kinën dhe për Greqinë në marsin e vitit 1941, me Aktin e tij të Huadhënies,

Janë të mëdha shumat e parave që po parashikohen në Uashington – gjithsej 47 miliardë dollarë, ekuivalente me një të tretën e PBB-së së Ukrainës para luftës. Nëse miratohet nga Kongresi, përveç ndihmave të tjera perëndimore kjo do të thotë se po financojmë asgjë më pak se një luftë totale.

Huadhënia ishte intervenim gjatë kohës së luftës. Shumica dërrmuese e mallrave të dorëzuara ishin armatime. Ushtria e Montit (gjenerali Bernard Law Montgomery – v.p.) në shkretëtirën e Afrikës së Veriut, luftoi me tanket Sherman të kësaj huadhënie. Pas vitit 1942, kundërofensivat e mëdha sovjetike u kryen me kamionët e huadhënies.

Ajo që e bëri kaq të jashtëzakonshme këtë është akt se në momentin e programit të huadhënies, në marsin e vitit 1941, ShBA-ja nuk ishte në luftë. Huadhënia ishte momenti vendimtar me të cilin ShBA-ja, megjithëse nuk ishte në luftë, e braktis neutralitetin. Kjo i detyroi juristët të krijonin një term të ri për ta përshkruar qëndrimin “jo luftarak”. Në terma më të gjerë, e shënoi shfaqjen e Shteteve të Bashkuara si hegjemon gjë që, për mirë apo për keq, mbetet edhe sot.

Megjithatë, historia është komplekse – gërvishteni sipërfaqen dhe paqartësitë shumohen. Çfarë nënkupton në të vërtetë thirrja e Huadhënies në drejtimin e politikës së ShBA-së?

Me sa duket, narrativa mbështetet nga premtimi se lufta e mirë e kundër një regjimi të ligë fitohet nëpërmjet sponsorizimit bujar të Shteteve të Bashkuara. Por, për ta përfunduar atë hark narrativ, duhet të vazhdoni ta ktheni orën para prej huadhënies në mars, te Karta e Atlantikut në gusht 1941 dhe, deri në dhjetor, te Perl Harbori dhe hyrja e ShBA-së në luftë. Duke ofruar ndihmë, si për Kinën ashtu edhe për Perandorinë Britanike, huadhënia ishte hap vendimtar për ta kthyer në luftë botërore atë që fillimisht ishte luftë e ndarë japoneze kundër Kinës dhe luftë gjermane në Evropë,

Nëse Kongresi i ShBA-së fillon me program të ri të Huadhënies, pyetja është nëse përshkallëzimi është pjesë e planit që duhet të merret parasysh.

Miqtë dhe kritikët e FDR-së kanë këmbëngulur gjithmonë se provokimi i një lufte me Gjermaninë naziste ishte agjenda e fshehtë e huadhënies. Shumica e historianëve sot do të argumentonin se synimet e presidentit ishin të paqarta. Edhe pas Perl Harborit nuk ishte e qartë nëse Roosevelti mund do ta kishte shumicën për t’i shpallur luftë Gjermanisë. Siç tregojnë Brendan Simms dhe Charlie Laderman në librin e tyre “Bixhozi amerikan i Hitlerit”, një rindërtim ky i jashtëzakonshëm i javës fatale pas Perl Harborit, reagimi i menjëhershëm ndaj sulmit japonez ishte pezullimi i dërgesave të huadhënies; Londra dhe Moska u tmerruan. Nuk ishte FDR-ja, por Hitleri që e shpëtoi aleancën duke i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara në pasditen e 11 dhjetorit.

Atëherë, si tani, ishin antagonistët tanë ata që mbetën me zgjedhjen nëse do të përshkallëzohemi nga konfrontimi ekonomik në atë ushtarak. Atëherë, si tani, motivet e atyre antagonistëve janë të panjohura.

Pas shpalljes së sanksioneve ndaj bankës qendrore më 28 shkurt, Putini rrapëlliu me shpatën bërthamore. Nëse Bideni e nënshkruan në ligj një paketë gjigante ndihme të stilit të Huadhënies, kush mund të tregojë se si do të reagojë presidenti rus? Shtohen pyetjet tjerat: a do t’i jepen Ukrainës armët vetëm për ta dëbuar ushtrinë e Putinit? Apo do ta pajisim Kievin për ta goditur vetë Rusinë?

Në vitin 1941, vizioni kryesor anglo-amerikan ishte ta ndërmerrte një fushatë të paprecedentë bombardimi strategjik për t’i bërë mbeturina qytetet e Gjermanisë dhe për ta “dekompozuar” popullsinë e saj. Me bombat konvencionale, kjo ishte vërtetë punë e vështirë. Por, një pjesë e arritjes së qëllimit të partneritetit anglo-amerikan ishte misioni Tizard përmes të cilit ekspertiza britanike, përfshirë zhvillimin e bombës atomike, transferohen në ShBA. Pas narrativës së sheqerosur të një lufte të mirë të fituar nga arsenali i demokracisë, fshihet nisja e një lufte apokaliptike botërore.

Ky ishte makthi që përndiqte kundërshtarët e Rooseveltit në Amerikë në vitin 1941. Vajtuan se ShBA-ja u tërhoq në një konflikt të dytë të tmerrshëm dhe në militarizimin e rendit botëror. E, ky nuk ishte këndvështrim margjinal. Derisa versioni i vitit 2022 i Aktit të Huadhënies kaloi njëzëri në Senat, më 1941 një e treta e Senatit votoi kundër tij.

Roosevelti e dinte se publiku amerikan nuk ishte gati për luftë. Ndaj, shpresonte se Akti i Huadhënies do t’ia lejonte ta shmangte që ta quante në atë mënyrë. Ky ishte sentimenti me të cilën luajti Churchill kur i bëri thirrje ShBA-së, në shkurtin e vitit 1941, që të mos hynin në luftë po që t’ia jepnin Britanisë dhe perandorisë së saj mjetet “dhe ne do ta përfundojmë punën”. Por, bujaria dhe shkalla e Huadhënies, si dhe angazhimi që nënkuptonte, sollën lehtësim të thellë në faktin se ShBA-ja po i paguante të tjerët ta luftonin betejën në emër të saj.

Ky është pikërisht pozicioni i saj sot. ShBA-ja dhe aleatët e saj për arsye shumë të mira kanë zgjedhur ta mbështesin njërën palë në një luftë në të cilën ata nuk do të angazhohen drejtpërdrejt. E bëjmë këtë si FDR-ja, me një sy në rezistencën heroike të atyre që rezistojnë kundër sulmit dhe me një sy në ekuilibrin gjeopolitik. Nëse Rusia ka zgjedhur të godasë veten në shkëmbin e Ukrainës, nëse Ukraina është e gatshme të luftojë, kështu qoftë.

Nëse ky është plani dhe Putini na lejon t’i përmbahemi atij, sigurisht që në një anë ka logjikë. Është përllogaritje aq gjakftohtë sa nuk është çudi nëse duam ta veshim me historitë gjysmë të kujtuara të Luftës së Dytë Botërore në të cilat supozohet fundi i lumtur, pa nevojën për t’u cekur ndonjëherë sakrificat e nevojshme. /Telegrafi/

 

Exit mobile version