Telegrafi

“Plus” afat deri në shtator për të hyrë në treg

Drejtuesit e Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë bëjnë të ditur se fillimisht u bënë shtyrje të afatit për shtrirjen me sinjal që duhet të bënte Konsorciumi që ka marrë licencën. Kjo u realizua vetëm më 8 korrik të këtij viti.

“Ka qenë i parashikuar që operatori do të përmbushte fazën e parë të detyrimeve rreth tre mujorit të parë të këtij viti, por për arsye objektive që u morën në konsideratë u realizua një shtyrje për muajin korrik. Më pas Autoriteti verifikoi përmbushjen e detyrimeve dhe rezultoi se ato janë përmbushur”, tha Rudolf Papa, këshilltar Ligjor në AKEP, raporton BalkanWeb.

Ndërkohë vonesa po konstatohen edhe në marrëveshjet e interkonjeksionit që operatoi katër “Plus” duhet të bëjë me operatorët e tjerë të telefonisë. Këto marrëveshje deri tani nuk janë arritur, çka ka bërë që Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe postare të shtyjë sërish afatin deri në shtator.

Në rast se edhe ne shtator, operatorët ekzistues nuk bien dakord për marrëveshjet e interkonjeksionit atëherë AKEP do të ndërhyjë për të zgjidhur situatën. Licenca e katër e telefonisë celulare u fitua nga një konsorcium, pjesë e të cilit është kompania kosovare PTK dhe disa shoqëri shqiptare /Telegrafi/