Telegrafi

”Pluralizmi politik në raportimin medial është kyç për demokracinë”

Në Shkup u mbajt konferenca ”Llojshmëria e pikpamjeve politike në lajmet televizive – dominimi i intresit publik apo i atij partiak-politik”, organizuar nga Instituti për studime komunikimi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas AIM-së, pjesëmarrësit u shprehën se pluralizmi politik në raportimin medial është kyç për demokracinë. Konferenca është pjesë e projektit MODEM i institutit të lartëpërmendur, ndërkaq mbështetet nga ambasadat britanike dhe holandeze në Shkup.

Ambasadori Plomp tha se Maqedonia nuk është vendi i vetëm që përballet me kohë të vështira në aspekt të politikës dhe mediave, duke shtuar se gjuha e urrejtjes, ajo e ngacmimit, si edhe raportimi i njëanshëm nuk paraqet pluralizëm.

Zoran Trajçevski nga Agjencia për shërbime mediale audio dhe audiovizuele tha se mbikëqyrjet e raportimeve mediale të këtij trupi rregullator tregojnë se me së shpeshti shkelje ka patur në tregimin e njëanshëm të ngjarjeve. Marina Tuneva nga Këshilli për etikë në media apeloi që të tejkalohet rrezistenca e pjesëmarrjes së mediave në vetërregullim dhe të mos nënçmohet fuqia e sanksioneve morale në media./Telegrafi/