Pallati i Drejtësisë qëkur u përurua një vit më parë është karakterizuar me një varg parregullsish, të cilat shpesh kanë “përfunduar” me lëndim të punonjësve, alivanosje e ndërprerje të punës.
Për këtë objekt, i cili ka kushtuar 30 milionë euro, ka përfunduar garancia, shkruan sot Koha Ditore.
Zyra e BE-së e ka arsyetuar mosvazhdimin e garancisë, duke thënë se testimet që janë bërë nuk kanë treguar për parregullsi. Prokuroria megjithatë po vazhdon hetimet
Pallati i Drejtësisë edhe pas një viti, prejse është përuruar, nuk është funksional. Sistemi i dobët i ajrosjes, defektet me sistemin e ujësjellësit, të klimës, liftet, tavanet, janë vetëm disa nga parregullsitë, të cilat po e karakterizojnë dhe “paralizojnë” punën në këtë objekt.
Si pasojë ka pasur raste të shumta të lëndimeve e alivanosje të punonjësve, ndërprerje të punës e madje edhe protesta të organizuara nga Sindikata e Punëtorëve të Judikaturës.
Shkaku i kësaj gjendjeje Prokuroria Themelore e Prishtinës vitin e kaluar kishte filluar hetimet rreth punimeve në këtë objekt. Hetimet tani kanë kaluar te Prokuroria Speciale e Kosovës.