Telegrafi

Plisat për vendimin e FFK-së: Stadiumi i Prishtinës është i yni, nuk lejojmë të luhet diku tjetër

Gjatë ditës së sotme, Prishtina ka pranuar një letër nga Komisioni i Grave të FFK-së, ku shkruhej se nuk mund të luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshjet e programuara për muajin tetor dhe për këtë ka reaguar klubi dhe tifozët prishtinas ‘Plisat’.

“Ndalimi i zhvillimit të ndeshjeve të FC Prishtinës gjatë muajit tetor 2022”, shkruhej në letrën që i është dërguar klubit prishtinas, me të cilën këta të fundit nuk janë pajtuar aspak, duke thënë që shkresa e dërguar nga FFK është qesharake.

Prishtina ka njoftuar se këto ndeshje do t’i luajë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Pas klubit kanë reaguar edhe tifozët ‘Plisat’, duke thënë se këtë herë nuk lejojnë që të largohen nga stadiumi që është i tyre.

“Jeni mësuar qe disa herë Prishtinën me e dërgu nëpër vende tjera, por këtë herë nuk do të lejojmë një gjë të tillë, nuk është dashur të ndodhë as herërat e kalume, por këtë herë çdo lojë e Prishtinës do të zhvillohet brenda stadionit të Prishtinës – aty ku i përket e aty ku e ka vendin!”.

“Për çdo vendim tjetër, pasojat do i bartni ju vet! Prishtinë, të dielën krejt bashkë takohemi në jug në stadion aty ku është vendi!”, thuhet në njoftimin e Plisave.

Prishtina të dielën pritet të luajë me Trepçën ’89. /Telegrafi/