Site icon Telegrafi

Plisat festojnë 25 vjetorin

 Në prezencën e të gjitha mediumeve më të njohura kosovare folën anëtarët e kësaj kryesie. Prezent ishte kryetari i tanishëm i Plisave, Albert Kastrati dhe disa anëtarë të tjerë, si Fatos Bajçinovci, Gazmend Dalipi, Besnik Mujeci etj.

“Prishtina edhe para vitit 1987 ka pasur tifoz të flaktë që e kanë përcjellë kudo, por në këtë vit u krijua grupi me emrin ‘Plisat’ nga disa anëtarë, si Lekson Zhubi, Nexhi dhe lideri i tanishëm i Torcidës. Ata ishin tifozeria e parë në Kosovë, mbështetjen më të madhe financiare e kanë marrë nga ‘pazargjitë e Prishtinës’ që kanë qenë si infuzion për këtë tifozeri”.

“Emri Plisat ka ardhur si simbol i krejt shqiptarëve, pasi që asokohe klubi i Prishtinës ka qenë si një kombëtare e Kosovës për futboll dhe e kanë ndjekur nga të gjitha trevat shqiptare”, ka thënë Dalipi, i cili shtoi se atij iu është dashur të hyjë vjedhurazi në stadium vetëm e vetëm për ta përcjell Prishtinën.

Ndeshja e parë që e kanë përcjellë Plisat ishte mes Prishtinës dhe Proliterit.

Fatos Bajçinovci shtoi se: “ Plisat asnjëherë nuk iu kanë ndarë klubit as gjatë kohës së pushtimit hegjemonist serb. Ata e kanë ndjekur Prishtinën edhe në Llukar, në Hogosht, në terrenet e improvizuara nëpër arat e Gjakovës e të Pejës, deri në vitet 97-98 kur ka filluar lufta, ndërsa pas luftës kanë filluar përsëri duke bërë brendimin e tifozerisë, duke krijuar edhe logon e Plisave etj.”.

“Plisat janë të parët që e kanë ndjekur kombëtaren e Shqipërisë. Më kujtohet viti 2001 në ndeshjen kundër Anglisë kur kemi shkuar nga Prishtina me shumë autobusë për ta përkrahur Shqipërinë dhe kemi krijuar një grup të përbashkët të tifozëve shqiptarë me emrin Dardanët, që sot e asaj dite gjithmonë janë prezent në ndeshjet e kombëtares, gjë për të cilën jemi shumë krenarë”, tha Besnik Mujeci.

Vlen të përmendët fakti se Plisat kanë bërë edhe shumë aktivitete humane për familjet e prekura gjatë luftës që siç tha edhe Besniku ‘as njerëzit e politikës nuk kanë ndihmuar më shumë se Plisat’.

Krejt në fund ata apeluan tek të gjithë të rinjtë e Prishtinës dhe të vendeve tjera që e konsiderojnë veten si Plisa të dalin në Sheshin “Nëna Terezë” nga ora 16:00 ku do të mbahet një koncert me këngëtarët më të mirë të skenës sonë muzikore, si Dafina Zeqiri, Kaos, Babastars, NR, Elinel, Yll Limani etj./Telegrafi/

Exit mobile version