Telegrafi

Pleqnari Vesel Abria, më i sigurt se gjykatat

Pavarësisht se shteti i ka mekanizmat e duhur për t’i zgjidhur këto probleme, shumë qytetarë vazhdojnë të trokasin në derë të pleqnarëve për zgjidhjen e halleve të tyre. Kjo, sipas juristëve dhe sociologëve, shihet si mungesë e besimit të qytetarëve në institucione shtetërore.

Derisa shteti ta kthejë besimin e humbur te qytetarët, shumë nga këta të fundit sa herë që kanë probleme ia mësyjnë kullës së Vesel Abrisë, nipit të Xhemajl Abrisë

Vesel Xhemajli nuk është gjykatës. Bile nuk ka më shumë se tetë vjet shkollë. Por, për shumëkënd fjala e tij është vetë ligji. Pasardhësi i plakut të urtë, Xhemajl Abria, ndonëse i është ofruar të shtatëdhjetave, vazhdon të presë në Kullën e tij hallexhinj që nuk dinë si t’i zgjidhin telashet që kanë me të tjerët.

Shteti, tashmë ka krijuar infrastrukturë të mjaftueshme ku palët mund të drejtohen për t’i zgjidhur kontestet, por Veseli mbetet ende i dëshiruar. Megjithatë, ka raste kur as ai nuk pranon t’i pleqnojë ankesat e atyre që janë në zor, por i drejton kah gjykatat.

Të veçantë punën e tij e bën respektimi i vendimeve nga ana e palëve.

“Krejt rastet që i marr në dorë – i kryej. Mua nuk më ka ndodhur që dikush mos me i respektu vendimet që i kam marrë si pleqnar”, rrëfen ai.

Për mënyrën e ndarjes së drejtësisë mes palëve, Veseli aplikon një rregull strikte: “Kur të na vjen veç njana palë, asnjëherë nuk i dhamë përgjigje”, shkruan Triibuna.

“Kur i bashkojmë të dy palët dhe i dëgjojmë me fjalë, tani përafërsisht e marrim një vendim dhe e këqyrim kush u kanë më shumë gabim a kush ma pak”, tregon Veseli.

Për ligjëruesin në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Fisnik Korenica, kthimi te zgjidhjet përmes formave kanunore ose pleqnimit, përben një dukuri që në Kosovë ka filluar të rritet kohëve të fundit për shkak të mosfunksionimit efikas të sistemit të drejtësisë. Kjo, sipas tij, duhet shikuar si një veçori që tregon dobësinë e shtetit të Kosovës dhe dobësinë e mekanizmave të saj për t’u garantuar qytetarëve se ata jetojnë në një vend demokratik ku sundon ligji.

Në këtë linjë është edhe juristi Riza Smaka. Ai konsideron se kjo çështje është e ndërlidhur me mungesën e besimit në gjyqësorin, i cili, sipas tij, nuk është treguar efikas. /Tribuna/